Tërnava dhe ‘dekorata’ e tij

Shkruan Dr. Musli Vërbani, komandant Hoxha

Pas luftës së dytë botërore, mulla Idris Gjilani e kishte moton “Pa një atdhe të lirë, feja nuk mund të mbahet kurrë.” Ndërsa pas masave të dhunshme të regjimit të Millosheviçit, Naim Tërnava e nisi me moton “Atdheu mbi të gjitha (përpos lëvdatave dhe pozitës)”, ndërsa feja është një gjë e dytë dhe sekondare.
Në kohën e tij, derisa ishte drejtor i medresesë Alaud-dinë, shkollat publike ishin mbyllur, fëmijët shqiptarë të Kosovës mësonin nëpër stalla dhe nëpër shtëpia private, pa tavolina, pa karrige.
Medreseja Alaud-dinë, e cila ishte medrese, shkollë e mesme dhe e përgjithshme, ishte ndërtuar dhe mirëmbahej nga ndihmat vullnetare (fitrave e zekatit) të besimtarëve. Gjatë asaj kohe qindra e qindra konkurronin për t’u regjistruar në medrese, ndërsa pranoheshin dhjetëra, e refuzoheshin me qindra, me arsyetimin se kanë të drejtë të regjistrohen vetëm dy paralele (po kush i ndalonte që ta zgjeronin kapacitetin në katër e pesë, e pse jo në dhjetë paralele, pasi që Kosova me shpalljen e Kushtetutës së Kaçanikut i kishte institucionet e saj paralele?!).
Medreseja organizonte dhjetëra e qindra tubime sepse pas atyre tubimeve ai pasurohej dhe siguronte një jetë luksoze edhe pse popullata jetonte në varfëri të skajshme dhe nxënësit e shkollave tjera nuk kishin as fletore as lapsa e as libra për të mësuar.
Tërnava sot ka të drejtë të krenohet me ato tubime, por a ka të drejtë të krenohet me refuzimin e qindra konkurruesve për medrese, të cilët refuzoheshin e mëpastaj detyroheshin që të mësonin në shkolla ku nuk kishte as tavolina as karrige, tjetra, objekti i medresesë kishte kapacitete edhe për shkolla të tjera të mesme, por asnjëherë nuk ju mundësua shkollave tjera të mesme që të mbanin orët e mësimin në objektin e medresesë të cilën e drejtonte ai.
Filloj lufta e vitit 1998-1999, me nxitim hoxhallarë dhe haxhilerë, fëmijë të hoxhallarëve dhe haxhilerëve, u renditën në formacione të UÇK-së anë e mbanë Kosovës, dhe derisa isha duke biseduar me ish Komandantin tim (tani dëshmor) Izahir Tronin, ai më tha: – Komandantët i kemi nga fëmijët e hoxhallarëve (duke e përmendur Azem Gurin, djalin e mulla Fejzulla Gurit, i cili ishte kom. batalioni në brigadën 162 Agim Bajrami dhe Eset Malsiun i cili ishte djali i Hafiz Haki Malsiut, i cili ishte kom. batalioni në të njëjtën brigadë), ndërsa në secilin pozicion kemi hoxhallarë, dhe ata, përpos që janë komandantë dhe ushtarë, ata luajnë edhe rolin e eprorit moral ushtarak.
Tërnava, pas luftës, krenohet me numrin e medresantëve dëshmorë dhe e sheh të arsyeshme të investonte të shkruhet libër për dëshmorët medresantë, ndërsa nuk e sheh të arsyeshme të investoj të shkruhet libër për veteranët hoxhallarë e haxhilerë e fëmijë të hoxhallarëve dhe haxhilerëve sepse meritat e dëshmorëve dëshiron t’i uzurpoj për vete, kurse dëshmorët medresantë nuk paraqesin rrezik për pozitën e tij, ndërsa medresantët ushtarë e komandantë paraqesin rrezik për pozitën e tij.
Për Tërnavën, loti i mulla Osman Musliut i cili përloti botën mbarë dhe zgjoi ndjenjat e mbarë botës sepse simbolizon lotin e nënave, fëmijëve e baballarëve, gjyshërve dhe motrave shqiptare të cilat masakroheshin nga barbarët serbë, nuk përbën asgjë sepse për të, ai lot është vetëm ujë i cili teret dhe humbet dhe për të nuk ka ndonjë vlerë.
Medresantët e hoxhallarët, fëmijët e hoxhallarëve e haxhilerëve, luftonin anë e kënd Kosovës ndërsa ai iku në Maqedoni, por jo në kampin e Çegranit të Gostivarit, por në vend luksoz.
Pas tij edhe medresanti i tij Bujar Dervishi (ndërsa ka të tjerë të cilët nuk janë pranuar në medrese, e janë ndalur në luftë) mori turrin vrap pas tij, ndërsa prindi i tij Islam Dervishi u ofronte ushqim të shijshëm forcave serbe të cilët masakronin dhe vritnin popullatën shqiptare në bajramin e vitit 1999 e në prill të vitit 1999 e deri më 11 qershor, me qëllim që forcat paramilitare serbe të jenë më të fuqishëm për të masakruar gra, fëmijë e pleq, në Kaçanik.
Pas luftës, nëpër tubime të ndryshme, Tërnava lavdërohej me dëshmorët medresantë, lavdërohej me veteranë hoxhallarë, ndërsa veteranin (hoxhën dhe komandantin e UÇK-së Musli Vërbanin e shkarkon vetëm nëpërmjet medieve dhe emëron Bujar Dervishin, djalin e Islam Dervishit, të cilin e përmenda më parë, ai i cili u ofronte ushqim të shijshëm forcave serbe, të cilët masakronin dhe vrisnin popullatën shqiptare në bajramin e vitit 1999, e në prill të vitit 1999 e deri në qershor, e pas qershorit, me qëllim që forcat paramilitare serbe të jenë më të fuqishëm për të masakruar gra, fëmijë e pleq, në Kaçanik).
Tërnava, nëpër tubime vazhdimisht shprehet: “Dëshmorët (e prej tyre edhe dëshmorët medresantë) furnizohen te Zoti i tyre.”, ndërsa në mendjen e tij veteranët medresantë dhe imamët veteranë paraqiten si rrezik për furnizimin e tij në këtë botë.
Në fund, Tërnavës i ka mbetur hatri pse e kanë harruar dhe nuk e kanë dekoruar për vitin jubilar të pavarësisë, ndërsa nuk duhet t’i mbes hatri se pse nuk është i dekoruar, por që në Ditën e Gjykimit do të jetë i mallkuar prej Zotit të Lartmadhëruar sepse ai nuk ka vepruar për Ditën e Gjykimit, por për dekoratë, në kurriz të dëshmorëve dhe në kurriz të veteranëve, në kurriz të atyre të cilët e kishin shpresën tek ai, por shpresa e tyre po del se ka qenë vetëm një zhgënjim.

Lexo tjetër  Lufta e drejtë e UÇK-së solli lirinë dhe Pavarësinë