Të korruptuarit s’do të kenë vend në MTI

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas publikimit të një raporti të Agjencisë Antikorrupsion se Departamenti i Prokurimit në MTI ka bërë shkelje me rastin e një tenderi.
Bajrami ka paralajmëruar masa të menjëhershme ndaj zyrtarëve që kanë bërë shkelje ligjore kur kanë publikuar tenderin.
“Për këtë rast, unë do të kërkoj sqarime të detajuara nga zyrtarët përkatës dhe kushdo që ka bërë shkelje në bazë të përgjegjësisë do të merren masa të menjëhershme. Ne kur kemi dyshime ju drejtohemi institucioneve siç është Agjencia Kundër Korrupsionit për këshilla dhe opinione dhe i respektojmë ato në tërësi”, ka thënë Bajrami, teksa ka shtuar e bindur se “njerëzit e korruptuar nuk do të kenë vend pune në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
Tutje, ajo ka bërë me dije se MTI-ja së shpejti do të përshkohet nga një aktivitet intensiv auditimi rreth prokurimit, akreditimit, autorizimeve etj.
“Ne po punojmë që të ju kthejmë besimin qytetareve në institucione dhe këtë kemi për ta arritur”, ka përfunduar ministrja Bajrami.