Të fuqishmit mbi ligjin dhe mbi shtetin!

Nga Faik KRASNIQI
Edhe pse po rrezikohet popullata nga sëmundjet e rrezikshme të kancerit dhe leukemisë, e që po preken sidomos fëmijët e vegjël, deri më tash nuk kemi parë që Ministria e Bujqësisë ka ndërmarrë diçka, lidhur me shpërthimin e skandalit, rreth importimit të grurit të myktë, që në Serbi dhe vende të tjera përdoret për ushqim kafshësh, kurse ky miell shërben për t’u gatuar në sofrat shqiptare, në të dy anët e kufirit! Vetë qeveria e Shqipërisë dhe Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ishte ai që ndezi alarmin për krundet e kafshëve, kur tha që Kosova po i shet Shqipërisë krunde të kafshëve! Por, ishte i njëjti ministër që erdhi në Prishtinë, dhe sigurisht nga presioni i oligarkëve të biznesit dhe politikës, në Kosovë dhe Shqipëri, e demantoi vetveten dhe tha që mielli është në rregull! E ky skandal i krundeve nga AVUK-u u mbyll me pretendimin se krundet janë në nivel dhe në përputhje me standartet evropiane! Madje AVUK-u ato krunde i cilësoj edhe më cilësore sesa në vendet e Bashkimit Evropian! Prandaj nuk besoj që Ministria e Bujqësisë do të bëj diçka për parandalimin e këtij gruri – dhe as për qumështin me pluhur që po importohet nga vendet e kontaminuara, sepse importuesit janë të lidhur ngushtë me politikën, në të dy anët e kufirit, shkaku i interesave të tyre biznesore, prandaj edhe çdo skandal mbulohet nga ana e tyre dhe në fund sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë, e populli në fund dorëzohet dhe hesht, edhe pse është në pyetje shëndeti dhe jeta e tyre, e posaqërisht e fëmijëve të tyre!
                                     Ligji nuk është i njëjtë për të gjithë!
Në Kosovë ligji nuk është i njëjtë për të gjithë! Për popullin e shkretë ligji zbatohet në përpikmëri, kurse për njerëzit e fuqishëm as që vije në shprehje, pavarësisht se çfarë krimi dhe vepra penale bëjnë ata! Në Kosovën e paluftës, të gjithë jemi dëshmitar për këtë gjë, në qindra e mijëra raste!E, mosfunksionimi i ligjit, e sidomos për njerëzit e fuqishëm të politikës dhe bizneset e lidhura ngushtë me ata, apo më mirë të themi bizneset e tyre por që janë në emrin e biznesmenëve, që i kanë krijuar vetë peshqit e mëdhenjë të politikës, kanë bërë që populli të ha çdo gjë: edhe krunde të kafshëve, edhe qumësht pluhur, ushqime të dyshimta dhe të kontaminuara, me afat të skaduar etj, sepse këta oligarkë të politikës dhe biznesit i kanë mekanizmat e tyre si AVUK-un, prokuroritë e gjykatat, që i mbrojnë prapa çdo pisllëku dhe skandali!
Deri sa nuk ekziston shteti ligjor, këto skandale që po rrezikojnë seriozisht jetën e qytetarëve, e që nga paslufta janë bërë të shpeshta sëmundjet nga kanceri dhe leukemia tek fëmijët, do të vazhdojnë akoma, sepse mungesa e shtetit ligjor krijon trekëndëshin kriminal, politikë-biznes-mafi!
                             Institucionet përgjegjëse duhet të marrin masa!
Heshtja e institucioneve përgjegjëse, rreth këtyre skandaleve është shumë e rrezikshme, e turpshme dhe e papranueshme, sepse po rrezikohet seriozisht shëndeti dhe jeta e qytetarëve, e në veçanti po lozet me jetën e fëmijëve të vegjël dhe të porsalindurve!
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet përgjegjëse duhet të mirren seriozisht me këtë punë, dhe të bëjnë parandalimin e importimit të këtyre ushqimeve të rrezikshme, sepse me konsumimin e këtyre ushqimeve të dyshimta, të mykta, të kontaminuara dhe me afate të skaduara, tek popullata janë shpeshtuar sëmundjet e kancerit dhe leukemia tek fëmijët!