Tahiri: Shumica e serbëve kanë marrë letërnjoftimet e Kosovës si rezultat i dialogut

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka deklaruar se shumica e serbëve kanë marrë letërnjoftimet e shtetit të Kosovës si rezultat i dialogut të Brukselit.

Në një komunikatë lëshuar nga Qeveria e Kosovës thuhet se në vitin 2011 është arritur Marrëveshja për Lëvizjen e Lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, kjo marrëveshje ka bërë që shumica e serbëve të Kosovës të marrin letërnjoftimet e shtetit të Kosovës.

“Ky është një zhvillim pozitiv që e ka ndryshuar gjendjen pozitivisht sepse që nga përfundimi i luftës e deri me fillimin e dialogut të Brukselit, serbët e Kosovës me ndikimet negative të Beogradit kishin refuzuar të bëhen pjesë e sistemit shtetëror të Kosovës dhe të marrin letërnjoftimet e Kosovës”, thuhet në komunikatë..

Siq theksohet në komunikatë pas angazhimeve maksimale të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit, shumica e pjesëtarëve të minoritetit serb tash janë pjesë e sistemit dhe pjesë e institucioneve shtetërore të Kosovës, në nivel qendror dhe lokal dhe ky progres ka të bëjë me riintegrimin e minoritetit serb në jetën publike dhe shoqërore të shtetit.

“Mirëpo edhe më tutje një pjesë e vogël e serbëve të Kosovës ende nuk i kanë marrë letërnjoftimet e Republikës së Kosovës, këtë çështje ne e kemi ngritur në Bruksel për të kërkuar angazhimin e Bashkimit Evropian për të zgjidhur këtë çështje dhe për të ndaluar ndikimet negative të Beogradit. Ne i kemi paralajmëruar masat e ndalesës si dhe i ftojmë të gjithë personat e komunitetit serb që ende nuk i kanë marrë letërnjoftimet e Kosovës që sa më shpejt të aplikojnë dhe të pajisen me letërnjoftimet e Kosovës. Këtë çështje e kemi ngritur në takimin e pardjeshëm në Bruksel dhe pavarësisht se pala serbe ka mohuar që ende strukturat paralele i lëshojnë këto leje situata në terren është ndryshe”, thuhet në komunikatë.

Qeveria e Kosovës së bashku me Bashkimin Evropian do ta zgjidhin përfundimisht këtë problem dhe së shpejt i gjithë ata persona që ende nuk i kanë dokumentet shtetërore të Kosovës do t’i kenë ato.

“Sikur edhe në fushat e tjera ku përmes dialogut të Brukselit kemi arritur dhe po arrijmë integrimin e komunitetit serb sidomos nga pjesa veriore e vendit tonë duke shuar strukturat paralele ashtu siç është rasti me shuarjen e policisë paralele serbe, pastaj të ashtuquajturën ‘mbrojtja civile’, strukturat paralele të drejtësisë, në të njëjtën mënyrë do të merr fund edhe problemi i përdorimit të letërnjoftimeve ilegale në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Qeveria e Kosovës.