Tadiq: Daçiqi deshi të niste luftë me Kosovën

Lideri i Partisë Demokratike të Serbisë dhe ish-presidenti serb, Boris Tadiq në një ligjëratë para disa studentëve në Beograd, ka thënë se ka pasur probleme me ish-partnerin e tij politik, Ivica Daçiq
Lideri i Partisë Demokratike të Serbisë dhe ish-presidenti serb, Boris Tadiq, në një ligjëratë para disa studentëve në Beograd, ka thënë se ka pasur probleme me ish-partnerin e tij politik, Ivica Daçiq, veç shumë çështjeve tjera, edhe për atë se Daçiq ka dashur të hyjë në luftë për Kosovën.
Tadiq në fakt, duke iu referuar kohës së mandatit të tij, tregoi edhe për atë se çfarë marrëdhënie ka pasur me kreun e socialistëve, Daçiq, i cili ishte partneri i tij në qeveri.
“Raporti im me parlamentin ka qenë i çuditshëm dhe i rëndë. E kam pasur Ivica Daçiqin, i cili nuk e ka përjashtuar luftën si opsion, dhe disa herë i kam thënë që të mos e bëjë një gjë të tillë. Në anën tjetër e kam pasur Koshtunicën i cili, bashkë me përfaqësuesit e Kishës kanë qenë të brengosur për Kosovën”, ka thënë Tadiq.
Ndërkaq, ndaj kësaj deklarate, nuk ka qëndruar indiferent Daçiqi, duke thënë se Serbia nuk ka mundur që të rrijë e qetë e të shikonte se si sulmoheshin serbët në veri të Kosovës.