A do ta mbështet Valdete Idrizin apo Agim Bahtirin në balotazh? Ferati e tregon publikisht vendimin e tij personal

Kandidati për kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, Fehmi Ferati ka deklaruar se si parti nuk kanë ende ndonjë qëndrim zyrtar rreth asaj se a do ta mbështesin PDK-në apo AKR-në në zgjedhjet për balotazh, por personalisht ka shtuar se nuk është për asnjërën prej tyre.

“Me thanë të drejtën as që na ka rënë ndërmend puna e koalicioneve, unë personalisht i kam qëndrimet e mia, fundi-fundit më lejohet me u deklaru.

Hyrja ime në politikë ka qenë për ndryshim, dhe personalisht unë nuk jam për asnjërën prej këtyre por çka me bo tash, këto nuk janë qëndrime që duhet të shprehen, është më shumë qëndrimi që del zyrtarisht.” – ka thënë Ferati për “Gazeta Blic”.

Ai e ka shprehur shqetësimin e tij për siç ka thënë, numrin e madh të votave të pavlefshme dhe njëkohësisht ka treguar se janë duke i pritur rezultatet finale, pasi që sipas tij, ka vende ku është identifikuar vota më herët dhe se për këtë ata kanë dyshime për keqpërdorim.

“Jemi duke u marrë me këtë punë edhe pse ne jemi të shqetësuar edhe për numrin e madh të votave të pavlefshme. Njëkohësisht, jemi duke i pritur edhe rezultatet finale, sepse kemi vende ku është identifikuar vota më herët, kemi një dyshim për keqpërdorime njëkohësisht,” – ka thënë Ferati.

Sipas tij, edhe pse konsiderohet se Vetëvendosje ka shënuar rënie në këto zgjedhje, ai thotë se në fakt prej zgjedhjeve të vitit 2013-të, Vetëvendosje ka ngritje për 120% në Mitrovicë, shkruan GazetaBlic.

“Këto probabilitet, analizat që po bëhen duke marrë shembull zgjedhjet nacionale s’kanë gjë, ” – ka shtuar Ferati përderisa ka folur për rezultatet zgjedhore.

Në zgjedhjet të cilat u mbajtën më 22 tetor të këtij viti, Partia Demokratike e Kosovës me kandidaten Valdete Idrizi ka dalë si partia më votuar në Mitrovicë duke marrë 29.63% të votave, pasuar më pas nga Agim Bahtiri i AKR-së, i cili ka marrë 27,03% të votave.

Lidhja Demokratike e Kosovës është renditur si e treta me radhë me 21,66% pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje me 15,67% të votave.