Sundar Pichai: Android arrin 1 miliard përdorues, Gmail 900 milion

Google-in të gjithë e njohin kryesisht si motorri i kërkimit më popullor online por kjo kompani është shumë më tepër se kaq. Google ka në zotërim shërbime, aplikacione dhe produkte të tjera. Në konferencën Google I/O të mbajtur ditën e enjte, kreu i Google Sundar Pichai raportoi disa statistika përsa i përket përdorimit të shërbimeve apo produkteve nën markën e Google.

Sipas Pichai deklaroi se sot ekzistojnë plot 1 miliard përdorues të Android. Për më tepër ai shtoi se 8 në 10 telefona në botë funksionojnë nën sistemin operativ Android. Nuk është vetëm platforma Android që po rezulton tepër e suksesshme. Softueri Android Wear i Google, një version i Android i optimizuar për orët inteligjente, po bëhet një kërcënim serioz ndaj Apple Watch. Fillimisht gjatë lançimit Android Wear ishte i disponueshëm vetëm në 2 orë inteligjente, ndërsa aktualisht ai është pjesë e 7 pajisjeve të tilla në treg. Sipas deklaratave të bëra në konferencën I/O, tanimë ekzistojnë 4000 aplikacione Android Wear.

Google dëshiron gjithashtu të shihet si një mënyrë për të paguar përmes Android Pay. Kompania raportoi se sistemi i pagesave Android Pay do të përdoret në 700.000 dyqane në Shtetet e Bashkuara vitin që vjen. Një shifër tjetër që provon suksesin e produkteve Google është dhe numri i përdoruesve të shërbimit të email-it Gmail. Pichai zbuloi se 900 milion përdorues të internetit sot aksesojnë emailin e tyre përmes Gmail. Kjo mund të jetë një shifër shumë e lartë e parë nga këndvështrimi i kompanive të tjera, por Google e cilëson Gmail si bazën më të vogël të përdoruesve. (PC World Albanian)