Sot dita botërore e Autizmit

Sot është Dita Botërore për Ndërgjegjësimin për Autizimin, shenjat e së cilës shfaqen tek fëmijët pas moshës 1-2 vjeç.
Specialistët e shëndetësisë apelojnë për sensibilizimin e opinionit publik për përkrahje ndaj fëmijëve autistë dhe integrimin e tyre në shoqëri.
I identifikuar në vitin 1943, autizimi është një çrregullim ende jo shumë i njohur, ndaj specialistët thonë se trajtimi i tij duhet të kthehet në prioritet të politikave shëndetësore dhe sociale bashkë me më tepër vëmendje ndaj fëmijëve që preken nga kjo sëmundje.
Bazuar në të dhënat shëndetësore, autizmi ka një prevalencë më të madhe se 0.1%. Njerëzit me autizëm nuk kanë aftësi të kufizuara fizike, ndaj dhe është vështirë të krijohet më shumë dijeni për këtë gjendje, pohojnë specialistët. Sipas klasifikimit ndërkombëtar të sëmundjeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, “autizmi shfaqet tek fëmijët para moshës tre vjeçare dhe shoqërohet me vonesa në ndërveprimet e tyre shoqërore, gjuhë, shenja, apo lojëra përfytyruese”.
Mjekët pohojnë se autizmi mund të identifikohet që në muajt e parë të jetës dhe mund të kuptohen nga një specialist kur fëmija është në muajin e pestë, ndërsa shenjat me të dukshme variojnë nga 18 deri në 36 muajsh. Karakteristikë e kësaj sindrome është se fëmija mund të zhvillohet pa shfaqur shenja shumë të dukshme të çrregullimit deri në moshën 16-18 muajsh dhe pas kësaj moshe, nëna mund të identifikojë probleme në zhvillimin e tij.
Fëmijët autikë kanë probleme të komunikimit, mbyllen në vetvete, nuk krijojnë lidhje emocionale, nuk shoqërohen me moshatarët, fiksohen pas një sendi apo objekti, etj. Çrregullimet e gjuhës dhe komunikimit, simptomat më karakteristike te fëmijët autikë, evidentohen kur fëmija nis të flasë, prandaj dhe prania e tyre përbën një nga kriteret diagnostikuese. E folura herë mungon, herë është e vonuar, ose dhe atipike.
Mjekësia ende nuk ka mundur të qartësojë shkaqet e autizmit, ndërsa përpjekjet e shkencëtarëve vazhdojnë të jenë të mëdha. Edhe pse rrallë observohet më shumë se një rast autizmi në familje, observimi i një përqindjeje të konkordancës së rritur te binjakët monozigotë ka treguar rëndësinë e faktorit gjenetik tek autizmi.
Bazuar në të dhënat, nga 75 mijë të sëmurë me paaftësi, 10 për qind e tyre janë fëmijë, paaftësia e të cilëve mund të jetë fizike, sensore, neurologjike, psikiatrike, intelektuale ose e natyre tjetër. Rreth 14-20% e fëmijëve paraqesin në stade të ndryshme të jetës së tyre një çrregullim të shëndetit mendor.