Skenderaj, subvencionohen fermerët për mbjelljen e 42 hektarëve me fidanë të pemëve

Bordi i Drejtorëve i Komunës së Skenderajt, i udhëhequr nga nënkryetari Fadil Nura, ka mbajtur të hënën mbledhjen e radhës, në të cilën ka diskutuar një varg çështjesh të rëndësishme dhe projektesh, që do të realizohen gjatë vitit 2017.

Bordi në këtë mbledhje, ndër të tjera, ka diskutuar edhe për procesin e përzgjedhjes së drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të disa shkollave, përgatitjet për kremtimin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, nivelin e të hyrave vetjake në fillim të vitit, përgatitjet për subvencionimin e fermerëve në mbjelljen e fidanëve të pemëve, procesin e vendosjes së numrave të adresave dhe çështje të tjera të rëndësishme. Nënkryetari Nura ka kërkuar që shumë shpejt të nisin procedurat për ndarjen e subvencioneve në bujqësi.
Komuna e Skenderajt në vitin 2017 do t’i subvencionojë fermerët në mbjelljen e fidanëve të pemëve. Në bazë prioriteteve të caktuara më herët, komuna sivjet do ta subvencionojë kultivimin e pemëve, kryesisht në mollë dhe kumbull. Sipas parashikimeve, në Skenderaj këtë vit do të mbillen 42 hektarë me fidanë të pemëve, mollë dhe kumbull. Kjo do të realizohet me subvencionim nga komuna dhe pjesëmarrje të bujqve të Skenderajt.