Skenderaj, Petrit Halilaj e dërgon Okarinën e Runikut në New Museum në Amerikë

Një ekspozitë e artistit Petrit Halilaj do të hapet pas disa ditësh në një prej institucioneve artistike më prestigjioze në Nju Jork.

Bëhet fjalë për New Museum, ku Halilaj nga data 27 shtator do të ekspozojë projektin e tij më të ri që ka pikënisje Runikun, qytetin ku ai ka lindur dhe një pjesë me vendbanimet më të hershme neolitike, ku një pjesë e mirë e artefakteve janë gjetur gjatë gërmimeve.

Mes tyre është edhe Okarina e Runikut, e cila paraqet një trashëgimi të palejueshme për Kosovën pasi është pjesë e koleksionit të objekteve që mbahen nga Qeveria Serbe.

Halilaj, siç përshkruhet në konceptin e ekspozitës, do ti japë formë trashëgimisë e cila ekziston vetëm në imagjinatën e njerëzve.

Halilaj para pak muajsh ka marrë Mirënjohje Speciale në Bienalen e Venecias, në kuadër të ekspozitës Viva Arte Viva. Puna e tij gjithmonë është si provokim artistik për tema të ndryshme, midis tyre edhe një Muze i Natyrës në Kosovë.

Ekspozita në New Museum në Nju Jork ka për kuratore Helga Christoffersen. Kjo ekspozitë vërteton edhe një herë sa i rëndësishëm është artisti Halilaj dhe me sa hapa të fuqishëm po ecë drejt galerive dhe muzeve më prestigjiozë në botë. / KultPlus.com