Skenderaj, PDK-ja kundër linçimit të Ajnishahe Halimit!

 

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Skenderaj, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje, se kjo e fundit po linçon figurat politike, dhe kjo po e dëmton frymën demokratike në Skënderaj, duke iu referuar përjashtimit të koordinatores së LVVnë Skenderaj, Ajnishahe Halimit.
“Fushata e egër e aplikuar në drejtim të një aktivisteje  politike, këshilltare e Kuvendit komunal të Skenderajt, pa marrë parasysh përkatësinë politike të saj, është në kundërshtim me frymën demokratike që ekziston në Skenderaj.”
“Eliminimi politik me metoda totalitare, që po ndodh e dëmton frymën demokratike që ka mbizotëuar dhe mbizotëron në Skenderaj. Aktiviteti politik i subjekteve të ndryshme politike e pasuron jetën demokratike në Skenderaj dhe nxitë konkurrencën e vlerave programore si ofertë politike për qytetarët e kësaj treve.”, thuhet në një komunikatë për media nga Dega e PDK-së në Skënderaj.
Për PDK-në e Skenderajt, veprimet e fundit në këtë komunë nga LVV i konsiderojnë si një fushatë për eliminim politik të një individi që shpreh bindjet e tij lirshëm.
“Veprimet e fundit i konsiderojmë si fushatë për eliminim politik të një individi që shpreh bindjen e lirë publikisht dhe që po e bënë Vetëvendosje, në raport me ish aktivistët e saj, gjë për të cilën ne si subjekt politik jemi akuzuar në vazhdimësi, po nga Vetëvendosje”, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Por në anën tjetër ky veprim i LVV ka një anë pozitive për PDK-në. Sipas tyre ky veprim i LVV dëshmon se në Skënderaj nuk ka pasur kurrë ngulfatje të ndonjë subjekti politik.
“Veprimet e fundit dëshojnë edhe një gjë shumë me rëndësi, se në Skenderaj kurrë nuk ka pasur ngulfatje  të ndonjë subjekti politik, pavarësisht fuqisë dhe ndikimit elektoral. Opinioni po e sheh në mënyrën më të mire të mundshme se cili subjekt politik po e ngulfatë dhe cenon shprehjen dhe veprimin e lirë politik e demokratik të individit, brenda subjektit politik dhe jashtë tij”, vazhdon komunikata e PDK-së, dega në Skënderaj.
PDK, dega në Skënderaj është edhe kundër keqpërdorime të fondeve të organizatave joqeveritare, dhe pret që drejtësia ta thotë fjalën e saj.
“Ne, gjthsesi kemi qenë dhe jemi kundër keqperdorimit të fondeve të oranizatave joqeveritare që që kanë ndodhur nëtë kaluarën në emër të një OJQ-je, nga ish koordinatorja e VV-së. Po ashtu jemi kundër keqpërdorimit të pozitës politike për përfitime personale në emër të shfrytëzimit të pronës private. Për këtë çështje besojmë se drejtësia do ta thotë fjalën e saj”, përfundon komunikata e PDK-së për media./DrenicaPress/