KV. Drenica R&Rukolli: U mënjanuam në shpërblimin e sportistëve të vitit 2014

Në një komunikat dërguar portalit tonë “Drenica Press” Klubi Volejbollistik “Drenica R&Rukolli” shprehet i pakënaqur me ndarjen e çmimeve të sportistëve të vitit 2014 në Komunën e Skenderajt. Ata mendojnë se sukseset e treguara nga klubi i tyre janë një sinjal i qartë se meritonin të nderoheshin me çmimet laureatëve të vitit 2014 nga Komuna e Skenderajt konkretisht nga Departamenti i Kulturës Rinisë dhe Sportit të kësaj komune. Lidhur më këtë çështje të ngritur nga KV Drenica&Rukolli portali ynë ka marrë një prononcim nga drejtori i Departamentit të Kulturës, Rinisë dhe Sporit z. Hajriz Koci, i cili u shpreh se lidhur me ndarjen e lauratëve  të sportistëve të vitit 2014, ai personalisht është angazhuar që të krijoj një juri profesionale, të përbërë nga njerëz profesionistë kësaj lëmie dhe nuk ka ndikuar aspak në përzgjedhjen e sportistëve të vitit 2014. Madje, sipas tij “DKRS vetëm ka pasur rolin e monitoruesit, kjo për arsye qe të ruhet pavarësia e punës së Komisionit. “Unë mund të ju them se Komisioni i cili ka bërë vlerësimin për perzgjedhjen e sportistëve me të mirë të vitit 2014, ka qenë me kredibilitet të lartë pasi në mesin e anëtareve të tij ka pasur profesor universitar te Fakultetit të Kulturës Fizike dhe sportistë shumë vjeçar. Komisioni ka qenë i pavarur në vlerësimin e bërë dhe askush ne asnjë rast nuk ka pasur ndikim tek ai.” – tha drejtori i DKRS Koci. Poashtu portali ynë mori edhe një prononcim nga anëtari i këtij Komisini, profesor Xhinovci, i cili mohoi kategorikisht se nuk ka pasur asnjë presion ndaj Komisionit  profesional në përzgjedhjen e sportistëve të vitit 2014. “Komisioni  në përzgjedhjen e sportistit të viti 2014 në komunën e Skenderajt e them me bindje të plotë se nuk ka pasur asnjë presion nga persona të tjerë në përzgjedhjen e sportistëve të vitit të kësaj komune” tha profesor Xhinovci.

Më poshtë kemi komunikatën e plotë të KV: Drenica&Rukolli dhe pronocimin e plotë për këtë çështje nga drejtori i DKRS-së z. Hajriz Koci.

Komunikata e KV. Drenica&Rukolli– “Më 29 dhjetor të vitit të kaluar, në qytetin e Skenderajt ishte paraparë shpallja e më të mirëve për vitin 2014 në të gjitha lëmitë sportive nga Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport. DKRS në Skenderaj, paraprakisht zyrtari i sporteve përmes shkeljeve ligjore formon një komision ‘ad-hok’ për shpalljen e laureatëve pa asnjë kriter të vetëm dhe pa të drejtë të thirrjes në komision të asnjë zyrtari të vetëm përkatës për kategoritë sportive. Krejt kjo që në fillim është bërë në suaza të shkeljeve ligjore nga zyrtari i sportit, i cili nuk ka të drejtë ligjore të formojë komision në Komunë ku dihet mbi bazën e ligjeve të zbatueshme në këtë vend në të gjitha komunat e edhe në komunën tonë komisionet e kësaj natyre dhe natyrave të tjera, formojnë drejtorët e drejtorive përkatëse me nënshkrim të kryetarit mbi bazën e kritereve të përcaktuara dhe Asambleja Komunale, përmes komisioneve të sajë.
Plot suksese Klubit tonë ftesa për të nominuar një laureat në kategorinë e seniorëve i ka ardhur vetëm një dite para se të mbahet skandali në fjalë. Mbi bazën e rezultateve të arritura gjatë vitit 2014, klubi ynë është klubi më i suksesshëm, jo vetëm në komunën tonë, por edhe në tërë Kosovën më këto trofe të fituara.
1. Nënkampion në Superligën e Kosovës ne volejboll, konkurrenca meshkujve.
2. Fitues i Kupës së Republikës së Kosovës në volejboll
3. Fitues i Kupës së Federatës së Kosovës në volejboll
4. Ekipi i vetëm pa asnjë humbje në fazën vjeshtore, duke i prirë tabelës i pari në renditjen tabelare, kampion vjeshtor.
Të gjitha këto rezultate janë arritur me punën profesionale në ekip, me mund, djersë dhe sakrificë nga secili anëtar në klubin tonë, madje pa mbështetjen e mjaftueshme financiare nga Komuna, e cila është përgjegjëse të paktën t’i mbulojë shpenzimet për zhvillimin e garave.
Zyrtari i sporteve me komisionin e tij të jashtëligjshëm dhe joprofesional për interesa të ngushta, pazare kafesh të individëve të caktuar mohon sukseset tona dhe ua servon këto suksese klubeve tjera pa asnjë të drejtë, duke e mohuar atë që ne brenda një viti e arritëm me djersë. Këtë padrejtësi dhe qëllimet e saj i di vetëm zyrtari i sportit në komunën tonë, përndryshe rezultatet tona i di i gjithë komuniteti i sporteve kudo që ndodhet.
Kërkojnë takim me drejtorin
Nga përvoja jonë e mëhershme dhe mënyra se si zgjedhen ekipet më të mira nëpër federatat përkatëse të sporteve në Kosovë, e rrjedhimisht edhe nëpër komunat tjera, askund nuk ndodhë që kjo të bëhet pa asnjë kriter të vetëm, e lëre më të votohet nga njerëz të painformuar dhe jokompetentë e të manipuluar nga individë të caktuar, duke mohuar rezultatet tona për interesa personale. Pas këtij skandali klubi ynë ka kërkuar takim me zyrtarët komunalë, përkatesisht nga drejtori i DKRS-së dhe në takim e sipër kemi kërkuar sqarime, por një gjë e tillë nuk na është mundësuar ende nga drejtori i DKRS-së. Në bazë të përvojës sportive, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në vendet tjera, askund nuk votohet për ekipin më të mirë, sepse atë e zgjedhin vetë rezultatet e arritura, e lëre më të barazohet një klub me suksese kulminante me një klub me më pak suksese dhe klubi që ka më pak suksese të shpallet klubi më i mirë. Kjo ndodhë pa asnjë kriter të vetëm nga një komision joprofesional dhe i manipuluar. Dëmtohet imazhi, praktika të këtilla të këqija të paimagjinuara më parë, jo vetëm që dëmtojnë imazhin e sporteve në komunën tonë, e ngritur nga njerëz me shumë vlera, por mendojmë që nuk duhet të lejojmë ta njollosin njerëz të pa kontribut dhe të painformuar mbi baza klandestine që t’ua mohojnë sportistëve meritorë, meritat dhe djersën vetëm e vetëm për të vënë në pah ambiciet e tyre personale, duke i dedikuar meritat e meritorëve në adresë të gabuar. Kjo jo vetëm që e dëmton imazhin në klubin tonë, por ka edhe efekte më të gjera negative. Presim përgjigje konkrete me shkrim nga drejtoria përkatëse. Klubi ynë falënderon Kompaninë R&Rukolli dhe të gjithë ata që kontribuuan materialisht për klubin tonë. Gjithashtu falënderojmë grupin e tifozëve ‘Shqiponjat e zeza’ të cilët ishin çdoherë pranë nesh dhe se bashku ishim pjesë e këtyre rezultateve.”

Pronocimi i drejtorit të DKRS-së z Hariz Koci – “Unë mund të ju them se Komisioni i cili ka bërë vlerësimin për përzgjedhjen e sportistëve më të mirë të vitit 2014, ka qenë me kredibilitet të lartë pasi në mesin e anëtarëve të tij ka pasur profesor universitar te Fakultetit te Kultures Fizike sportistë shumë vjeçar. Komisioni ka qenë i pavarur në vlerësimin e bërë dhe askush në asnjë rast nuk ka pasur ndikim tek ai. DKRS vetëm ka pasur rolin e monitoruesit, kjo për arsye qe të ruhet pavarësia e punës së Komisionit. KV Drenica R& Rukolli është klub shumë i suksesshëm dhe me arritje shumë të mira ne sport, ky fakt dihet nga të gjithë, madje jemi krenar për arritjet e tij.
Puna e jonë si drejtori është ndihma financiar dhe tekinike qe ne u japim klubeve sportive, varësisht nga rezultatet dhe ne nuk e bejme vleresimin. Ky ka qenë edhe qëllimi pse është formuar Komisioni.
Unë si udhëheqës i DKRS-se në asnjë mënyrë nuk kam dashur te ndikoj ne vlerësimin e Komisionit, pavarësisht prej bindjeve të mija personale ne lidhje me sportistet apo klubet me të mira.”/drenicapress/

 

 
Loading...