Skenderaj e Mitrovica marrëveshje për menaxhimin e mbeturinave, pritet investim në vlerë prej 43 milion eurosh

Komuna e Skenderajt dhe ajo e Mitrovicës sot kanë nënshkruar  një marrëveshje bashkëpunimi për menaxhimin e mbeturinave. Përmes kësaj marrëveshje të dy komunat i hapën rrugë kompanisë investitore “Gren Power Active Plus” që të filloj punën e ndërtimit të fabrikës së riciklimit të mbeturinave, ku përmes riciklimit të mbeturinave do të krijoj energji elektrike kjo kompani me kapacitet prej 12 megavatesh.. Nënshkrues të kësaj marrëveshje ishin kryetari i Mitrovicës z. Agim Bahtiri dhe nënkryetari i komunës së Skenderajt z. Fadil Nura. Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri tha ” Ne si komunë e Mitrovicës kemi pasur një kërkesë nga kompania “Gren Power Active Plus” nga Amerika në bashkëpunim me një kompani tjetër nga Suedia, të cilët na kanë kërkuar 10 hektarë tokë për të investuar 43 milion euro për riciklimin e mbeturinave dhe fitimin e rrymës përmes mbeturinave prej 12 megavat. Ne kemi bërë një procedurë të rregullt dhe komuna e jonë i ka dhënë në shfrytëzim tokën prej 10 hektarësh, njëkohësisht ne kemi kërkuar që bashkarishtë  të bëjmë edhe një pjesë të kompanisë regjionale “Uniteti”, e cila ka vështirësi në financa për arsye se qytetarët nuk i paguajnë shërbimet që i kryen kjo kompani për mbeturina. Në mënyrë që kjo kompani mos të shuhet ne kemi kërkuar që kompania”Uniteti” të jetë nënkontraktues i kompanisë “Gren Power Active Plus”, duke kërkuar prej tyre që të bëhet një investim në vlerë prej 2.2 milion eurosh jo në të holla, por për pajisje të cilat i nevojiten kompanisë “Uniteti”  për grumbullimin e të gjitha mbeturinave në tri komuna (Mitrovicë, Vushtrri e Skenderaj), pastaj këtë kërkesë e kemi dërguar në Kuvendin Komunal dhe e kemi marrë pëlqimin e tyre, gjithashtu kemi biseduar edhe me Bordin e drejtorëve të kësaj kompanie, të cilët u pajtuan dhe bashkarishtë e kemi nënshkruar këtë kontratë që kjo kompani (Uniteti) të bashkëpunoj dhe të jetë nënkontraktues i kësaj kompanie e cila vjen për investime.” Gjithashtu Kryetari i Mitrovicë bëri edhe një thirrje duke ju drejtuar ministrive dhe kryeministrit Mustafa për hapjen e sa më të shpejtë të procedurave që kompania  “Gren Power Active Plus” të filloj punën sa më shpejtë, pasi sipas tij kjo kompani është e gatshme të filloj punën që nesër për ndërtimin e fabrikës “Unë bëj thirrje të gjitha institucioneve të Kosovës, të gjitha ministrit që sa ma shpejtë të kryejnë procedurat për të i mundësuar kësaj kompanie që të vjen menjëherë dhe të bëjnë investimin e tyre, ata janë zotuar edhe me mjete edhe me të gjitha, por pritet tek ne që ministritë të ia japin pëlqimin për investime. Të gjitha procedurat janë kryer, përpos ka mbetur që Ministria e Ambientit të ja jap pëlqimin për investim. Unë kërkoj që edhe ministri edhe kryeministri të ndikoj që sa më shpejtë të japë mundësinë e investimit kësaj kompanie, sepse është në interesin qytetarëve se ky investim do të na sjellë edhe shumë investime tjera. Ku ky investitor shumë i fuqishëm që po vije dhe është krenari me pas Kosova dhe apeloj nga institucionet që kjo të bëhet sa ma shpejt që është e mundur”.  Ndërkaq nënkryetari i Komunës së Skenderajt z. Fadil Nura, i cili ishte nënshkruesi i kësaj marrëveshje falënderoj kryetarin Bahtiri për përkrahjen e këtij projekti. Ai ndër të tjera tha ” Ne emër të komunës së Skenderaj ju falënderoj përzemërsisht juve z. Bahtiri që si kryetar i komunës së Mitrovicës e keni përkrah këtë projekt që sot arritëm në fazën  finale të marrëveshjes si komuna respektive dhe aksionar të kompanisë publike “Uniteti” për mbledhjen e mbeturinave. E vlerësojmë shumë të rëndësishëm edhe përkrahjen e autoriteteve qendrore në këtë rast Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, e cila besoj që do të jetë proaktive në përkrahje në kuptimin e investimeve, sepse para së gjithash është një interes i qytetarëve”. Ndërkaq lidhur statusin e kompanisë Uniteti dhe me vendet e punës së punëtorëve të kompanisë Regjionale “Uniteti” z Nura tha “Statusi i kompanisë “Uniteti” nuk ndryshon dhe punëtorët do të jenë të mbrojtur në bazë të legjislacionit që e kemi në fuqi konkretisht ligjit të punës, ndërsa sa i përket tarifave të pagesave që duhet të bëjnë qytetarët është në përputhje me legjislacionin në fuqi, kështu tarifat në bazë të legjislacionit i përcaktojnë komunat, njëkohësisht në marrëveshje këtu shkruan se do t’i harmonizojmë edhe planet komunale për trajtimin e mbeturinave nga dy komunat respektive. Ndërkaq lidhur me pagat e puntorëve z. Nura tha se ” pagat e punëtorëve do të mbetet në përgjegjësi të investitorit në këtë rast ai to t’i paguaj, ju e dini që kompani në fjalë është në falimentim e sipër, ku ka tre muaj që punëtorët nuk kanë marrë paga dhe kjo gjë është e rëndë, sepse kemi problem me inkasim. Duhet thënë se aksionar të Kompanisë Regjioanle “Uniteti” janë tri komunat ajo e Mitrovicës me 60% të aksioneve dhe Komuna e Skenderajt edhe ajo e Vushtrrisë kanë nga 20 % të aksioneve në këtë kompani. Ky investim nga kompania “Gren Power Active Plus” pritet të ketë një ndikim shumë pozitiv si në aspektin ekonomik, pasi do të hap vende të reja pune, por gjithashtu kompania “Uniteti” si nënkontraktore e kompanisë “Gren Power Active Plus” do të shtrij aktivitetin e saj për mbledhjen e mbeturinave nëpër të gjitha fshatrat e komunës së Mitrovicës, Skenderajt e Vushtrrisë/ drenicapress/