S’ka marrëveshje me Rusinë – Hollande: Opsioni i vetëm mbetet lufta

Kur në zhargonin e diplomacisë thuhet se “bisedimet kanë qenë konstruktivë”, kjo nënkupton që në të vërtetë nuk ka patur asnjë marrëveshje, edhe pse tratativat vazhdojnë.

Që një ditë më parë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Francois Hollande, kishin nisur përpjekjet, që vazhduan edhe sot me një takim-maratonë pesë orësh, në diskutime për hartimin e një dokumenti që do i bashkëngjitej atij të marrëveshjeve të Minskut.

E vetmja gjë e sigurt nga këto bisedime është se Perëndimi është i ndarë.

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara duan një ashpërsim të qëndrimit, Europa preferon një linjë më të butë kundrejt Rusisë.

Dikush thotë që mund të jetë edhe një lojë, me palët që bëjnë “policin e keq / policin e mirë”.

Këtë ndeshje shumë të vështirë të shahut diplomatik Putini ka preferuar ta luajë në sulm: presidenti rus dëshiron që të shfrytëzojë sa më mirë që të mundet ato që i nuhat si mospërputhje në qëndrimet e perëndimorëve, pra Uashingtonit dhe Europës.

Dhe këtë hapësirë po e shfrytëzon për të hedhur në tryezë propozime të rinj.

Përgjigjen e menjëhershme e ka marrë nga zëvendëspresidenti i SHBA, Biden i cili ka akuzuar me zë të lartë Rusinë se “po kërkon një përshkallëzim të situatës përmes dërgimit të mercenarëve dhe armatimeve”.

Më tej Biden ka përsëritur se nuk do i lejojë rusët që të ribëjnë hartën e Europës, raporton bota.al

Më diplomatik, në një deklaratë ku nuk mund të mos shquash edhe disa nota pesimizmi, ka qenë presidenti francez.

Në një intervistë për të përditshmen franceze Le Figaro, Hollande ka thënë se “ky është një prej shanseve të fundit që kemi. Nëse nuk do të arrijmë një marrëveshje kohëgjatë, atëherë të gjithë e dimë fare mirë skenarin. Ai ka një emër, dhe quhet luftë”.

Nga ana e tij, Putini ka nxituar të sigurojë që “Rusia nuk do luftë me askënd dhe dëshiron që të bashkëpunojë me të gjithë”.

Dhe, ndonëse ka shprehur mbështetjen e tij për planin e paqes që mban firmën e kancelares gjermane dhe të presidentit francez, Putini ka dashur të saktësojë se “nuk do të lejojë asnjëherë një rend botëror të udhëhequr nga një fuqi e vetme e pakundërshtuar, e cila dëshiron të mbetet e tillë”.