Si të përmirësohet rendimenti i grurit?

Në vendin tonë, gruri është kultura që zënë sipërfaqen më të madhe të kultivimit, mirëpo edhe përkundër këtij fakti, ne ende importojmë një sasi të konsiderueshme të grurit. Një faktor me rëndësi i kësaj gjendje është edhe rendimenti i ulët i sipërfaqeve të mbjellura me grurë. Rendimentet e ulëta që realizojmë në Kosovë janë pasojë e disa faktorëve ku ndër më të rëndësishmit janë mospërdorimi i agroteknikës adekuate, përdorimi i farërave jo cilësore për mbjellje dhe harmonizimi jo i drejtë i racioneve ushqyese të bimëve konformë fazave të rritjes dhe zhvillimit të tyre. Fermerët vendor prodhimin e grurit duhet ta mbështesin në zbatimin e teknologjive të reja kultivuese dhe në zbatimin e masave të përkujdesjes gjatë periudhës vegjetative konformë kalendarit agronomik.

Gruri është ushqimi kryesor i njeriut dhe është një nga katër kulturat kryesore që kultivohen në botë dhe njëkohësisht plotëson mbi 30% të nevojave të popullsisë së Evropës për kalori. Nëse krahasojmë sipërfaqet e kultivuara me grurë, kjo kulturë zënë sipërfaqen më të madhe. Edhe në vendin tonë, sipërfaqja më e madhe përdoret për kultivimin e drithërave dhe gruri është kultura që zënë sipërfaqen më të madhe të kultivimit, ku mbillet në 20-25% të sipërfaqes punuese. Mirëpo edhe përkundër këtij fakti, ne importojmë një sasi të konsiderueshme të grurit. Pra realisht ne ende nuk mund t`i plotësojmë kërkesat e popullatës sonë për grurë. Një faktor me rëndësi i kësaj gjendje është edhe rendimenti i ulët i sipërfaqeve të mbjellura me grurë, pasiqë në krahasim me vendet e rajonit dhe ato evropiane ku rendimenti mesatar i grurit sillet nga 7.5 deri në 8.2 t/ha, rendimenti i fushave tona me grurë është pothuajse përgjysmë më i ulët.

Ky rendiment i ulët vjen si rezultat i shumë faktorëve, mirëpo disa nga më të rëndësishmit vijnë nga ndikimi i varietetit dhe ndikimi i agroteknikës. Në vendin tonë përdoret një agroteknikë e shkallës së ulët dhe fara që përdoret për mbjellje është jocilësore.

Fermeri Besim Hakiqi nga Llapashtica e Podujevës kultivon grurë në sipërfaqe prej 5 hektarë e 50 ari. Për portalin “Ferma Ime” ai tregon që në vitet e fundit ka arritur një rendiment mesatarisht prej 5 deri në 6 ton për hektarë. Pra gjatë viteve të fundit ka arritur një rendiment pothuajse të njëjtë ndër vite. Sipas tij fermerët që nuk arrijnë rendiment të mirë është shkak i plehërimit jo të mjaftueshëm.

“Unë përdor deri në 400 kg pleh për hektarë në fushat e mia me grurë, prandaj edhe e kam arritur këtë rendiment, kurse fermerët që kanë rendiment më të ulët duhet të përdorin sasi më të madhe të plehut”, tha ndër të tjera fermeri Hakiqi.

Në anën tjetër, edhe institucionet edukativo-arsimore janë të rëndësishme në përmirësimin e prodhimtarisë së grurit, pasiqë bëjnë transferimin e praktikave dhe njohurive të reja në fushën e kulturave lavërtare. Sipas ekspertit të bujqësisë, Prof. Dr. Imer Rusinovci, i cili njëherësh është edhe ligjërues në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë për kulturat lavërtare,thotë se faktorët që ndikojnë në realizimin e prodhimeve të ulëta nga kultura e grurit janë të shumtë prej të cilëve veçohen mospërdorimi i teknologjisë së lartë kultivuese konformë kërkesave të bimëve të grurit dhe përdorimi i inputeve jo cilësore për mbjellje.

“Potencialet prodhuese të kultivarëve bashkëkohor të grurit arrijnë mbi 10 t/ha, ndërsa rendimenti mesatar në shkallë vendi, që realizojmë varësisht nga viti është 3,5-4 t/ha. Kjo i bie që ne akoma nuk i shfrytëzojmë as 50% të potencialeve prodhuese të kultivarëve të grurit që mbillen në kushtet tona agro-ekologjike”, thekson me tej Rusinovci.

Kurse sa i përket arsyeve që në vendin tonë kemi një rendiment të ulët të grurit, Prof. Rusinovci potencoi se rendimentet e ulta që realizojmë në Kosovë janë pasojë e mos përdorimit të agroteknikës adekuate, përdorimit të farërave jo cilësore për mbjellje, harmonizimit jo të drejtë të racioneve ushqyese të bimëve konformë fazave të rritjes dhe zhvillimit të tyre dhe mos zbatimit të masave të përkujdesjes në nivel të duhur”.

Sipas profesorit Rusinovci nga prodhimi me grurë arrijmë të plotësojmë më pak se 50% të nevojave tona ushqyese dhe kjo formë e prodhimit nuk është e kënaqshme, andaj bujqësia në përgjithësi dhe drithërat në veçanti duhet të intensifikohen që të zbusim importet e mëdha marramendëse të ushqimeve me të cilat po përballemi tash sa vite.

Ndërsa fermerët janë pjesa më e rëndësishme e këtij zinxhiri ushqimor. Profesori Rusinovci për portalin “Ferma Ime” tregon edhe masat që duhet të ndërmerren nga një fermer për të përmirësuar rendimentin e tij. Sipas tij fermerët vendor prodhimin e grurit duhet ta mbështesin në kritere të mirëfillta duke filluar nga zbatimi i teknologjive të reja kultivuese me përpikëri, deri në zbatimin e masave të përkujdesjes gjatë periudhës vegjetative konformë kalendarit agronomik.

“Në këtë drejtim në të ardhmen roli i shërbimeve këshillimore do të ishte shumë i madh nëse konkretizohet një trekëndësh bashkëpunues në mes prodhuesve, nivelit qendror të dikasterit përkatës dhe institucioneve shkencore të cilat do të bartnin transfere të reja teknologjike për prodhimtari të avancuar të grurit” përfundoi Prof.Rusinovci.

Ndërsa sa i përket përkrahjes së sektori publik, Ministria e Bujqësisë përkrah fermerët me subvencione prej 125€/ha për kutlivuesit e grurit. Sipas të dhënave në Ministrinë e Bujqësisë, çdo vit ka rritje të sipërfaqeve me grurë. Në vitin e kaluar në Kosovë janë mbjellë afër 87 mijë hektarë, që ka rezultuar me një rritje prej 3000 ha më shumë se një vit më herët. Për të mbuluar tregun, Kosovës i nevojiten rreth 410 mijë tonë grurë, përderisa nga prodhimi i brendshëm arrijnë të sigurohen përafërsisht mbi 300 mijë ton.

Në mënyrë që të kemi rendiment më të mirë, në të ardhmen duhet të avancojë edhe fusha kërkimore e drithërave, në mënyrë që kultivarët e fituar të jenë më të suksesshëm dhe të kenë prodhimtari më të lartë. Në këtë drejtim edhe shërbimet këshillimore padyshim se do të luanin një rol të rëndësishëm në transferimin e praktikave të mira të prodhimit dhe në avancimin e prodhimtarisë së grurit në përgjithësi./FermaIme