Si të përgatisim një Tiramisu të shijshme

Provojeni një ëmbëlsirë të tillë dhe padyshim se do të ndaheni të kënaqur me shijen e saj!
Përbërësit:

Për biskotat:
150 g miell
130 g sheqer
3 vezë
50 g niseshte
maja për ëmbëlsira
vanilje

Për kremin:
5 vezë
150 g çokollatë në copëza
500 g maskarpone
200 ml kafe
120 g sheqer
100 g kakao

Përgatitja e biskotave: 
Ndajmë të verdhat nga të bardhat e vezëve dhe rrahim këto të fundit duke hedhur sheqerin pjesë-pjesë. Vazhdojmë rrahjen e të bardhave derisa masa të fryhet. Më pas shtojmë të verdhat dhe vazhdojmë t’i rrahim derisa të bëhet një masë kremoze. Përziejmë përbërësit e thatë dhe i shtojmë te vezët duke i situr dhe trazuar ngadalë nga poshtë lart. E hedhim masën e përgatitur në xhepin e pastiçerisë dhe e hapim në tavë. E pjekim në furrë të nxehur më parë në temperaturën 180 gradë celsius për rreth 10 minuta.

Përgatitja e kremit për tiramisu:
Ndajmë të bardhat e vezëve nga të verdhat dhe rrahim të bardhat derisa të bëhet një masë e fryrë. Më pas i vendosim në frigorifer. Në rrahësin elektrik hedhim të verdhat e vezëve dhe sheqerin. I rrahim me shpejtësi mesatare. Duhet t’i rrahim derisa masa të fryhet. Shtojmë marskarponen dhe i përziejmë mirë së bashku. Më pas shtojmë dhe të bardhat e vezëve. I përziejmë me kujdes nga poshtë lart derisa masa të bëhet homogjene. Në tavë fillojmë të shtrojmë biskotat të lyera më parë me kafe. Vendosim një shtresë me biskota dhe më pas hedhim një shtresë kremi. E hapim mirë në të gjithë sipërfaqen e tavës. Sipër shtojmë kakao dhe copëza çokollate. Vazhdojmë kështu dhe me shtresën e dytë. Pasi e kemi përfunduar, e vendosim ëmbëlsirën në frigorifer për disa orë. Më pas e presim në copa dhe e shërbejmë. /Living