Shtohen goditjet në tru te mosha e mesme

Ka një rritje “alarmuese” në numrin e burrave dhe grave në moshë pune me goditje në tru.

Studimet tregojnë se në Angli gjatë vitit 2014 ka pasur 6 221 shtrime në spital për burrat e moshës 40-45, një rritje me 1 961 raste krahasuar me 14 vite më parë.

Ekspertët thanë se shkak kryesor mund të jetë mënyra jo e shëndetshme e jetesës, pa përjashtuar dhe rritjen e popullsisë apo ndryshimet në praktikat spitalore, që kanë luajtur një rol të rëndësishëm.

Sipas kërkuesve, goditja në tru nuk duhet të shihet si një sëmundje vetëm tek njerëzit e moshuar.

Kosto të mëdha

Goditjet shkaktohen nga mpiksja e gjakut ose rrjedhja e gjakut në tru dhe mund të çojë në paaftësi afatgjatë. Në shumicën e rasteve ndodh në njerëzit e moshës mbi 65 vjeç, por megjithëse ka rënie të rasteve në këtë grupmoshë, ky raport tregon se ka rritje numri i njerëzve më të rinj që janë në rrezik.

Ekspertët analizuan të dhënat e shtrimeve në spitalin kombëtar në vitet 2000-2014.

Trendet për njerëzit në të 40-tat dhe në fillim të 50-tave duket se po bëhet më keq. Në gratë e moshës 40-45, ka një shtesë prej 1 075 goditjesh të regjistruara në 2014-n, krahasuar me vitin 2000.

Ekspertët thanë se nivelet në rritje të obezitetit, jetës sedentare dhe dietave jo të shëndetshme rrisin rrezikun e mpiksjeve të gjakut dhe janë një faktor i rëndësishëm.

Ata argumentuan se goditjet tek kjo grupmoshë kishin ndikime personale dhe financare afatgjatë për individët dhe familjet e tyre. Raporti tregon se pacientët e shëruar e kanë të vështirë të rikthehen në punë dhe duhet të kenë me shumë mbështetje nga punëdhënësit .

Xhon Barrik, i shoqatës “Stroke Association”, tha: “Këto shifra tregojnë se goditja në tru nuk mund të shihet si një sëmundje vetëm tek njerëzit e moshuar. Ka një rritje alarmante në numrin e njerëzve që kanë një goditje në tru dhe që janë në moshë pune. Kjo shoqërohet me një kosto të madhe jo vetëm për individin, por edhe për familjet e tyre, shërbimet shëndetësore dhe të përkujdesit social.”

Alistir Moreli, 38 vjeç, duke folur për BBC-në, tha: “Përpara 4 vjetësh kisha një dhimbje koke torturuese, po bëhesha dhe më keq, nuk mund të ecja apo të flisja shumë mirë”. Më pas u zbulua se Moreli kishte një problem në zemër që nxiti goditjen në tru dhe pas reahabilitimit ai u rikthye në punë.

Pit Rambold, nga një qytet i Anglisë (Bromsgrov), ishte 49 vjeç kur pësoi goditje në tru. Ai u shpreh: “Më la të paralizuar në pjesën e poshtme, ana e majtë. Nuk isha në gjendje të flisja, të gëlltitesha apo të shihja.”

Ai tregon se nuk pati shenja që tregonin se ishte në rrezik: “Isha shumë mirë. Shkoja në palestër gjashtë ditë në javë dhe ushqehesha shëndetshëm, por kisha tension të lartë dhe nuk e dija. Nuk kisha qenë te doktori 7-8 vitet e fundit dhe nuk e kisha kontrolluar tensionin e gjakut”.

Shoqata “Stroke” tha se edhe njerëzit në moshë të re duhet të jenë të vetëdijshëm për shenjat paralajmëruese të tilla, si: marrje mendsh, vështirësi në të folur dhe ndryshime në fytyrë.

Një tablo e ndërlikuar

Dr. Majk Nepton i organizatës “Fondacioni Britanik i Zemrës”, tha se shtrimi i rasteve të goditjeve në tru tek burrat dhe gratë e reja ishte shqetësuese dhe duhet të merret seriozisht.

“Këto rezultate theksojnë rëndësinë e mbajtjes nën kontroll të tensionit të gjakut dhe kolesterolit, si dhe një kontroll shëndetësor në moshën 40 vjeç”, tha ai.

“Edhe pse ka një rritje të jetës sedentare dhe niveleve të obezitetit, kjo është vetëm pjesë e kësaj tabloje të ndërlikuar.”