Shtetasit turq blejnë prona në Athinë

Dhjetra turq të pasur, duke shfrytezuar një program që ka shpallur Greqia disa vite më parë të quajtur “Viza e arte” (Greece My Residence: Golden Visa Program), kanë filluar të blejnë shtëpi apo pasuri të tjera të patundshme, në Athinë.

Ligji në fjalë u aprovua me qëllim t’u mundësojë gjithë invstitorëve të huaj që të mund të blinin një shtëpi me vlerë mbi 250.000 euro, të merrnin edhe një leje qëndrimi disa-vjeçare me procedura urgjente.

Në këtë mënyrë do të përforconin tregun imobilar në krizë prej shtatë vitesh dhe do të mund të kryenin dhe investime në sektorë të tjerë të ekonomisë së rrënuar greke.

Ata që kanë shfrytezuar më shumë këtë ligj janë shtetasit turq, të cilët kanë blerë deri tani 57 shtëpi mbi këtë vlerë dhe 12 persona kanë përfituar lejen e qëndrimit.

Gjithashtu, janë në fazën e shqyrtimit 128 kërkesa të tjera për pjestarët e familjeve të shtetasve turq dhe interesi për blerje të reja, sidomos pas tentativës së dështuar të grushtit të shtetit, rritet nga dita në ditë.

Përveç këtyre rasteve, turq të tjerë më të pasur, kanë bërë edhe blerje me vlera më të mëdha, ndërsa janë të shumtë ata që kërkojnë hotele apo ambiente pune me sipërfaqe të mëdha, për të sjellë bizneset e tyre nga Turqia në Greqi, pasi atje investitorët e huaj vlerësojnë se situata është ende e pastabilizuar.

Qeveria greke po mendon që përveç blerjeve të shtëpive, të zgjerojë ligjin për dhënien e vizës së artë edhe me programet e blerjeve me të njëjtën shumë të bonove të thesarit apo aksione të shoqërive të ndryshme greke.

Nga programi kanë përfituar edhe shumë biznesmenë kinezë, rusë dhe iranianë.