Shqipëria do ta lidhë Durrësin e Shkupin me linjën hekurudhore

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto inspektoi sot rinovimin e vagonëve, për trenin e ri që do të operojë në linjën Durrës-Tiranë. Haxhinasto vizitoi ambientet e ofiçinave dhe repartin e riparimit të Hekurudhës Shqiptare, për të ndjekur nga afër punën që po bëhet për rinovimin e disa vagonëve dhe lokomotivës.

Haxhinasto u ndal edhe tek rëndësia që ka realizimi i rinovimit të infrastrukturës fizike dhe traseve, si dhe realizimi i lidhjeve të reja hekurudhore. “Siç e kemi komunikuar, jemi duke u përpjekur maksimalisht që të miratojmë si pjesë të korridoreve evropiane lidhjen Durrës-Shkup, por sigurisht që nuk janë më pak të rëndësishme për ne edhe linjat e brendshme”, deklaroi gjatë inspektimit Haxhinasto.

Në mbyllje të fjalës së tij, ministri u ndal në prezantimin e logove të reja të hekurudhës shqiptare, të cilat i vlerësoi si një punë profesionale dhe identifikim përmes gjuhës vizuale për të gjitha shërbimet që ofron hekurudha në transport udhëtarësh, mallrash dhe të mallrave të rrezikshme. Rinovimi i flotës së hekurudhës u cilësuar si një mundësi e re punësimi për qytetarët e Durrësit dhe një veprimtari me efekte shumë pozitive.

Ai vlerësoi realizimin e një prej objektivave të hekurudhës për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve në transportin e pasagjerëve.

“Shumë e rëndësishme të theksohet, se ky veprim është ndërmarrë nga drejtuesit e hekurudhës, e cila ka shpenzuar në mënyrë të zgjuar të ardhurat që ajo realizon, si dhe të ardhurat nga amortizimi i flotës së saj të vjetër, duke e shitur këtë të fundit. Investimi i këtyre të ardhurave po shkon drejt krijimit të një standardi të ri në përmirësimin e vagonëve për transportin e udhëtarëve”, tha Haxhinasto.

Zgjidhja për ndërtimin e stacionit të trenit të Tiranës ishte një nga shqetësimet kryesore të ministrit, i cili theksoi se kërkon ndërhyrje emergjente.

“Shumë e domosdoshme është t’i jepet zgjidhje sa më shpejt ndërtimit të stacionit të Tiranës. Heqja e stacionit të vjetër ka sjellë rënie drastike me 50% më pak numër pasagjerësh në këtë linjë kaq të rëndësishme, prandaj zgjidhja përfundimtare për këtë çështje është emergjente. Stacioni i Trenit në Tiranë duhet të ekzistojë në çdo rrethanë, edhe pse kemi konfirmuar që të ndërtohet stacioni multimodal i Kasharit. Ky është koncept modern në çdo kryeqytet, ku stacionet e trenit janë shumë afër qendrës”, u shpreh ministri.