Shpresa për shërimin e Parkinsonit

Një kurë kundër Parkinsonit, e cila u konsiderua e dështuar 28 vite më parë, po rieksperimentohet nga shkencëtarët e Universitetit të Kembrixhit.

Bëhet fjalë për metodën e injektimit në tru të qelizave fetale, për të cilën shkencëtarët besojnë se mund t’i rikthejë këtij organi, funksionimin normal.

Qelizat fetale dallojnë nga ato staminale pasi merren në një stad më të zhvilluar të fetusit.

Sipas revistës shkencore New Scientist kjo metodë nisi të eksperimentohej tek disa pacientë 28 vite më parë.

Por provat u braktisën në fillim të viteve ’90, pasi shkencëtarët kishin gabuar në përllogaritjen e periudhës, përgjatë të cilës pacientët duhej të shfaqnin shenjat e para të përmirësimit.

Vitet e fundit është zbuluar se pacientët, që u bënë pjesë e eksperimentit dhanë shenja përmirësimi disa vite më vonë pasi testimi u braktis. Për këtë arsye mjekët e spitalit Addenbrooke të Kembrixhit, rinisën provat më 18 maj.

Vështirësia e kësaj kure është sigurimi i qelizave fetale. Për të trajtuar gjysmën e trurit nevojiten qeliza nga të paktën 3 fetuse.

Ekipi i shkencëtarëve i ka injektuar aktualisht këto qeliza, një 55-vjeçari. Përmirësimet parashikohet të shihen brenda 5 viteve. 19 persona të tjerë, nga Britania e Madhe dhe Suedia, janë në listën e eksperimentimit.