Shoqata e bizneseve euro-aziatike nga Ankara e gatshme për investime në Mitrovicë

 

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri ka pritur Shoqatën e Bizneseve euro-aziatike nga Ankara, drejtuar nga Feridun Yngjel. Mysafirë në Mitrovicë ishin rreth 20 përfaqësues të bizneseve të ndryshme nga kjo zonë e Turqisë, me të cilët është biseduar rreth mundësive që ofron Mitrovica si qytet dhe zona e saj industriale për investime.

Pas mirëseardhjes, kryetari Bahtiri i ka njoftuar biznesmenët turq me gjendjen aktuale në qytet, përpjekjen për krijimin e ambientit të sigurt për investime, zonën e lirë ekonomike dhe parkun industrial, si dhe lehtësirat që ofrohen, taksat e ulëta dhe fuqinë e kualifikuar punëtore.

“Synimi ynë është zhvillimi i ekonomisë, krijimi i ambientit të sigurt për investime dhe hapje të vendeve të punës. Vendi ynë akoma po prodhon pak gjëra të ndryshme, ndërsa shumicën e gjërave i importon nga jashtë. Investimi këtu do të hapte rrugë për prodhim, shitje të tyre në vend por edhe plasim jashtë vendit, aq më parë që taksat janë 10 për qind në tatim në fitim, ndësa fuqia punëtore është më e lira në rajon”, tha Bahtiri para biznesmenëve turq.

Kryetari i Shoqatës së Bizneseve euro-aziatike nga Ankara, Feridun Yngjel, pasi ka falënderuar për mikpritjen vëllazërore ka premtuar analizim dhe shqyrtim të mundësive që investitorë nga kjo shoqatë të vijnë në Mitrovicë dhe të hapin kapacitete investive edhe prodhuese.

“Shoqata jonë mbledh shumë biznese nga Ankaraja dhe rrethina. Kemi mbi 40 filiala të shoqatës të hapura nëpër Evropë, si në Gjermani, Zvicër, Angli dhe vende tjera, Është hera e parë që jemi në Kosovë dhe po duam të prezantojmë mundësitë tona investive për gjithë Kosovën dhe Mitrovicën. Bizneset në shoqatën tonë janë që nga ato ndërtuese hoteliere, tekstil, mobilieri, makineri, përpunim metaleve etj” tha Yngjel.

Më pas secili nga mysafirët ka prezantuar vendin nga vijnë dhe biznesin me të cilin merren dhe interesimin e tyre për bashkëpunim dhe investime në fushat përkatëse. Në këtë delegacion kishte biznese nga Bursa, Konja, Ankara, Zvicra, Kushak e qytete tjera të Turqisë.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i ka dhuruar kryetarit Yngjel emblemën e Mitrovicës, ndërkohë që shoqata turke e bizneseve i ka dhuruar kryetarit Bahtiri flamujt e kësaj shoqate. Bizneset turke më pas kanë vizituar ambientet e qendrës tregtare, e cila së shpejti do tenderohet për dhënie në shfrytëzim dhe ndodhet pranë urës kryesore mbi Ibër, ndërsa më pas kanë vizituar qytetin dhe zonën industriale, për të shikuar kushtet dhe mundësitë për investime.