Shkolla fillore “Musa Hoti” përfiton projektin e komunës në bashkëpunim me IADK

 

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Ekonomik, Nasuf Aliu me bashkëpunëtorë dhe Magbule Hyseni, menaxhere e projektit të IADK-së, kanë vizituar objektet e kësaj shkolle për të përzgjedhur një hapësirë të përshtatshme për hapjen e bufes.
Drejtori i shkollës, Iset Beka, duke konsideruar se shkolla ka hapësirë të mjaftueshme për një gjë të tillë, ka treguar disa prej hapësirave që mund t’i plotësojnë kushtet për hapjen e bufes, derisa përfaqësues të IADK-së thanë se posedojnë fond për adaptimin e hapësirës për bufe.
Projekti në fjalë, ka të bëjë me angazhimin e përkohshëm të grave të veja, andaj edhe janë përzgjedhur 15 sosh,  të cilat do të trajnohen për përgatitje të ushqimit. Katër gratë që tregohen më të suksesshme, por edhe që e kanë më të vështirë gjendjen ekonomike, do të kenë mundësinë që të punojnë në këtë bufe, për hapjen e të cilës IADK do të ndihmoj me pajisje përkatëse.
Nga ky projekt, përveç grave që do të angazhohen, do të përfitojnë e dhe vet nxënësit e shkollës, të cilët do të kenë mundësi që me participimin prej vetëm 3.5 euro në muaj, çdo ditë të marrin nga një racion ushqim të freskët, i cili do të jetë vetëm prodhim vendor dhe i ndryshëm për çdo ditë.
Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, ka shpreh interesim për mundësinë e zgjerimit të projektit edhe në shkollat tjera të kësaj komune, në bashkëfinancim me IADK-në.