‘SHISJA ME QESE POSHTË PALLATIT DHE LASHË SHKOLLËN PËRGJYSMË’, RRËFIMI I FIERAKUT QË SOT EKSPORTON NË BALLKAN

Nga Xhensila Demollaj

Artur Vrushi prej gati 25 vitesh merret me tregti në bujqësi. Nga koha e fëmijërisë kur shiste në tren dhe në oborrin e pallatit, ai rrëfen gjithë rrugëtimin e tij deri më sot, që ka qendrën e vet të grumbullimit.

Porsa hyn në fshatin Kafaraj rruga e vjetër sipër kodrës të prezanton me banesat e zonës. Disa të reja dhe të mirëmbajtura, dhe të tjera ende me tjegullat e vjetra në  përpjekje për të mbijetuar. Megjithatë, banorët janë munduar të bëjnë sadopak investime me të ardhurat e tyre, duke ndihmuar disi ekonominë e gjithsecilit. “Që prej kohës që u mbyllën fermat bujqësore dhe blegtorale askush nuk ka vënë më dorë për restaurime. Edhe kjo rrugë ku po kalojmë sot është e bërë nga ne, banorët e këtij vendi.

Nuk na ka marrë askush në konsideratë prej vitesh”, thotë Gazmiri, banor i fshatit dhe zgjat dorën më tej të na tregojë fushat ku kultivohen prodhimet bujqësore. “Ja, atje tej janë të gjitha arat tona. I kemi parcelizuar disi. Në pjesën kodrinore të fshatit kemi banesat dhe në anën tjetër janë fushat në të cilat kultivojmë perime dhe pemë frutore. Ka pak serra. Njerëzit këtu janë mësuar të hanë ushqim të pastër dhe po të tillë tregtojnë dhe në qytet”, vazhdon të tregojë fermeri. Megjithëse janë munduar t’i bëjnë ballë copëzimit të tokave, problematika kryesore e banorëve në këtë zonë mbetet vaditja.

Në këto ditë të nxehta të gushtit gjenden në vështirësi për të ujitur prodhimet e tyre. “Është kulmi i sezonit, ku ne presim të marrim ndonjë fitim dhe nuk shohim asnjë dritë për këtë çështje. Asnjë shenjë jete. Kanalet vaditëse janë zhdukur. Para 6 vitesh, kur nuk kishim mundësi të investonim, e sillnim ujin në fusha me mjete rrethanore, me fuçi të ngarkuara në makina ose edhe me kova të vogla. Nuk mundemi ta lëmë tokën tonë djerrë.

Në këto kohë krize është e vetmja pasuri që kemi”.  Teksa dëgjojmë shqetësimet e vendasve, zgjatemi ca drejt qendrës. Të njohur për prodhimin e mirë në fusha, të shalqinjve dhe luleshtrydheve, fermerët në zonë kanë pasur përherë shqetësimin e një pike grumbullimi të madhe për sasinë e prodhimeve të tyre. Ne takojmë Artur Vrushin. Ai prej kohësh merret me bujqësi, ndoshta shumë herët seç mund ta mendonin të tjerët, që prej ku ka qenë 13 vjeç.

“As im atë nuk e besonte që unë doja të merresha me këtë punë”, thotë me buzëqeshje Arturi, teksa na fton të hyjmë në ambientet e magazinës së tij të grumbullimit. Gjithë kjo ndërtesë është bërë në sajë të një pune të madhe, e cila nisi jo më pak se 25 vite më parë, atëherë kur Arturi ishte vetëm 13 vjeç dhe ende në shkollë. “E kam lenë shkollën përgjysmë. I kam hipur trenit dhe jam larguar”, thotë me nostalgji, teksa vijon rrëfimin. |Babin e kam pasur mësues, po ashtu edhe bashkëshortja është me këtë profesion. Të gjithë janë me shkollime dhe studime, vetëm unë dola pa shkollë. Të gjithë intelektualë”, tregon me humor. “Kur isha 13 vjeç dhe vazhdoja klasën e shtatë mora bankën e shkollës, i preva këmbët, i vura një xham dhe dola në treg të shisja.

Babai më bërtiste. Sa herë më gjente ku isha, nuk më linte të shisja. Por, si fëmijët e tjerë, nuk e dëgjoja. Pastaj i hipja trenit, shkoja në Tiranë dhe nga Tirana në Fier shisja në tren. Kjo gjë zgjati për një periudhë prej 4 muajsh”. Për 39 vjeçar-in nuk ishte e lehtë t’i futeshe një rruge si tregtia, por mesa duket deri më sot ia ka dalë mbanë. “Tregtia nuk është e lehtë, por unë fëmijë, nuk i dija të gjitha. Vetëm kisha dëshirën për të punuar. Dhe më ndihmoi dhe fati. Më merr pranë vetes një miku im që kishte serra në Fier.

Ai më ka dhënë spinaq, kastraveca, domate dhe i shisja në treg në Fier, kudo ku kishte tregje të vogla. Kam shitur me qese. Nga viti 1993 deri në 1997 kam shitur me kile në hyrje të pallateve. Nga ato kohë ruaj edhe foton e vitit ’94. Më pas bleva një fugon të vogël dhe nisa të tregtoj me shumicë. Sot, u bë vite që merrem me eksporte. Kam qenë tregtar që kam eksportuar që herët, prej kohës që krijova marrëdhëniet me të huajt. Kemi importuar mollë në Maqedoni dhe aty jam njohur me tregtarë nga vendet e tjera, me të cilët  i mbajta lidhjet.

Në 2016 kam eksportuar 4600 tonë, domate dhe kastraveca”, tregon Arturi. Në këto kohë të verës, grumbulluesi Vrushi gjendet sa në tregjet e vendit, në ferma dhe në qendrat e grumbullimit. Prej gati një viti e gjysmë Arturi ka bërë investimin e rëndësishëm për të dhe fermerët e zonës duke ngritur qendrën e grumbullimit dhe duke mbledhur të gjitha prodhimet e fermerëve. “Në këtë kohë sapo mbaruam me shalqirin”, thotë Arturi, teksa rrëfen për ndërtimin e magazinës. “Kam marrë subvecione për ndërtimin e qendrës. Në total si shpenzim  shkoi rreth 430 mijë euro si objekt. Por, shteti e ka fikse që jep 400 milionë lekë maksimale, e shumës së dhënë për grant”.

Prodhimet

Zona e Kafaraj është e njohur së tepërmi për prodhimin e luleshtrydheve në serra, një ndër kultivuesit e vetëm në masë të këtij produkti në vendin tonë.  Në Shqipëri numërohen 117 pika të grumbullimit të prodhimit bujqësor, 52 prej të cilave janë pika ku kryhet eksporti i prodhimeve bujqësore me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, Serbinë, Greqinë, Rumaninë, Bullgarinë, Bosnjë, Kroacinë, por edhe në Suedi, Itali, Francë, Gjermani, Zvicër, Austri dhe SHBA. Ndërkohë, prodhimi i përllogaritur në gjithë Shqipërinë për luleshtrydhen arrin në 4000 ton në vit, ku vetëm 2000 ton kultivohen në zonën e Myzeqesë dhe veçanërisht në Kafaraj.

Ballkani, konsumues i perimeve shqiptare

“Unë kam 23 vite që merrem me tregti dhe rreth 12 vite që merrem me eksporte. Kjo është një punë që unë e bëj me pasion”, rrëfen grumbulluesi Artur Vrushi. Për 39 vjeçar-in, pika më e fortë e suksesit në treg janë eksportet, të cilat, sjellin hera-herës fitime më të mëdha, por edhe i japin emër produkteve shqiptare në botë. “Unë produktin e njoh mjaft mirë. Deri tani ka pasur luhatje për çmimet, por punët kanë ecur mirë. Eksportoj në të gjitha vendet. Tani jam në fazën e certifikimeve. Vendet që marrin produktet tona janë shumë, por ndër ta do të veçoja Çeki, Lituani, Poloni janë po ashtu shtetet që e preferojnë. Këtu me 400 lekë kilogram në nëntor është blerë luleshtrydhja te fermeri. Ka pasur luhatje, por jo më pak eksporti se sa domatja. Për shembullin shalqiri u shit mesatarisht me 0.25 cent. Ra goxha çmimi. Megjithatë, të huajt e preferojnë goxha produktin tonë.

Më tepër për cilësinë sesa për çmimin”. Sipas ekspertëve mendohet se e ardhmja e bujqësisë i takon serrave. Serrat gjithnjë e më shumë do të luajnë rol tejet të rëndësishëm në vendet me klimë mesdhetare për shkak edhe të ndikimit në një bujqësi të qëndrueshme, në një mjedis që do të ketë mungesë të ujit por edhe për shkak se, përmes serrave do të kemi një kontroll më të mirë të cilësisë dhe sigurisë ushqimore, në përshtatje me kërkesën e tregut. Shqipërisë i duhet të ecë shpejt në këtë trend. Plot 300 ditë me diell e bëjnë Shqipërinë një nga vendet më të favorizuara për serrat diellore.

Por Shqipëria ka 1 mijë ha serra dhe 60 mijë ha produkte të mbjella në fushë. Përmbysja e këtij raporti apo së paku reduktimi i diferencës mbetet prioritet. Po përse në serra? Krahasuar me rendimentin mesatar në perimet e mbjella në fushë të hapur, në serra merret një rendiment 3-4 herë më i lartë. Në vendin tonë serrat kanë filluar të ndërtohen pas viteve 1960. Serat e ndërtuara vitet e para me qëllim shfrytëzimin e energjisë diellore ishin me konstruksione druri, me beton-arme’ ose hekuri me mbulesa polietileni. Më pas, filluan të projektohen serra të reja më moderne me konstruksione metalike, mbulesa xhami dhe me ngrohje qendrore.