Shënohet 19 vjetori i të pagjeturve dhe martirëve në Mitrovicë (Foto)

Në Mitrovicë, në  “Shtëpinë Muze”, e cila ndodhet në Lagjen e Boshnjakëve, sot u shënua 19 vjetori i 116 të pagjeturve dhe 620  martirëve.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin familjarët e martirëve, të pagjeturve, qytetarë si dhe përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, të cilët vendosen lule në përkujtim të të pagjeturve dhe martirëve.

Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Jahja Lluka, mbajtës i dosjes për çështjen e personave të zhdukur, premtoi se Qeveria Haradinaj do ta ketë prioritet projektin e “Shtëpisë Muze” në Mitrovicë.

“Kemi shtatë muaj që jemi në pushtet dhe nuk kemi dhënë premtime asnjëherë, ky projekt do të futet ne prioritet të qeverisë. Mitrovica sot me siguri ka shumë dhimbje dhe lot, mirëpo Mitrovica edhe sot pas 19 viteve është krenare dhe stoike. E dimë mirë që Mitrovica është pjesa më gjeopolitike dhe strategjike e Kosovës,  nuk kemi heq dorë asnjëherë dhe nuk do të heqim dorë nga pjesa e jonë e Mitrovicës dhe shpresoj që qeveria me kryeministrinë Haradinaj është duke bërë çdo gjë për ta bashkuar Mitrovicën dhe për të qenë bashkë me ju. E di që keni shumë probleme sociale, mirëpo gradualisht  do të zgjidhen… Qeveria e Kosovës ka prioritet çështjen e martirëve dhe të zhdukurve dhe nuk do të heqim dorë për asnjë moment deri në zbardhje e fatit të njeriut të fundit të Kosovës”, ka thënë Lluka, raporton Telegrafi.

Ndërsa, përfaqësuesi i familjes së personave të pagjetur, Bajram Çerkini, kritikoi zyrtarët komunal të Mitrovicës të cilët kanë premtuar rregullimin e “Shtëpisë Muze”, dhe s’kanë bërë asgjë.

“Kemi dy probleme shumë të mëdha, zbardhja e fatit të pagjeturve në Mitrovicë. Janë edhe 116 të pagjetur, nga 338 sa kanë qenë. Nuk guxojmë të themi që s’është bërë asgjë. Problem i dytë, që është mëkat shumë i madh, po më vjen shumë keq, por me shku me i hip xhipave kur nesër është dita e eksodit, nisen autobusët me shku për Kullë të cilën e kanë mbaru, e këtu s’kanë qëndruar,  e të cilët kanë premtuar katër vjet ka që ta rregullojnë këtë muze”, u shpreh Çerkini. /Telegrafi/