Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Frederica Mogherini të hënën takon kryeministrat Mustafa dhe Vuçiq

Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Frederica Mogherini ka ftuar formalisht kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa dhe atë të Serbisë Aleksandar Vuçiq. Në takim me Mogherinin do jenë të pranishëm edhe dy ish kryeministrat Thaçi dhe Daçiq.
Raportohet se takimi i të hënës do shënojë vazhdimin formal të dialogut në nivelin më të lartë politik ku pas gati një vit pauzë në tavolinën e negociatave do ulen dy kryeministrat dhe lehtësuesja e dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit.
Procesi do rinisë me fytyra të reja dhe kjo nga secila palë gjithnjë si pasojë e zgjedhjeve si në shtete respektive ashtu edhe në institucionet evropiane. Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Fredeika Mogherini ka ftuar formalisht kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa dhe atë të Serbisë Aleksandar Vuçiq që të takohen në Bruksel dhe vazhdojnë procesin e dialogut. Këtë proces e kishte nisur paraardhësja e Mogherinit Catherine Ashton ndërsa bashkëbisedues i kishte atëbotë dy ish kryeministra, Hashim Thaçin dhe Ivica Daçiqin.
Në takim me Mogherinin do jenë prezent edhe dy ish kryeministrat: Thaçi dhe Daçiq, të cilët e kishin nisur procesin dhe kishin arritur Marrëveshjen e prillit.
Sipas Maja Kocijançiq, zëdhënëses së Mogherinit, shefja e Politikës së jashtme evropiane u ka dërguar ftesë vetëm kryeministrave.
“I përket liderëve nga Prishtina dhe Beogradi që më pas të vendosin përbërjen e delegacioneve nga kryqytetet respektive”, ka deklaruar Kocijançiq.
Sido që të jetë, për zyrtarët evropian prezenca e dy ish kryeministrave në këtë takim është edhe konfirmim i kontinuitetit të procesit.
Në komunikatën për shtyp të lëshuar nga kabineti i Mogherinit, thuhet se dy kryeministrat do rishikojnë progresin e arritur deri më tani në dialog dhe të vendosin si të shkohet tutje me proces të normalizimit të raporteve. Andaj edhe takimi i të së hënës më shumë ka karakter njoftimi dhe informimi për të ardhmen. Zyrtarëve evropian e konsiderojnë këtë takim si diç më shumë formale se substanciale.