SHBA – Shtyhen bisedimet për paqe për Jemenin

Bisedimet për paqe për Jemenin që duhet të zhvilloheshin më 28 maj në Gjenevë u shtynë, njoftoi sot një zyrtar i Kombeve të Bashkuara.

“Mund të konfirmoj se takimi u shty”, deklaroi zyrtari, pa dhënë shumë shpjegime dhe as një datë tjetër.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, njoftoi të mërkurën për zhvillimin e këtij takimi duke shpresuar se do të ndihmonte në rifillimin e procesit politik në Jemen, do të ulte nivelin e dhunës dhe do të lehtësonte barrën humanitare.

Një koalicion i vendeve arabe drejtuar nga Arabia Saudite ndërmori më 26 mars një fushatë sulmesh, me kërkesë të presidentit jemenit Abd Rabbo Mansour Hadi, për të ndaluar progresin e rebelëve në jug.

”Konflikti ka shkaktuar rreth 2 000 të vdekur dhe ka detyruar më shumë se 545 000 persona të largohen nga shtëpitë e tyre”, sipas OKB-së.