SHBA: Ja ç’na tha qeveria për ‘bashkimin me Kosovën’

Ambasada amerikane në Tiranë reagoi dje  për “Zërin e Amerikës” lidhur me deklarimet e kryeministrit Edi Rama për bashkimin e shqiptarëve në Bashkimin Europian dhe qasjen që duhet të ketë BE-ja ndaj këtij bashkimi. “SHBA besojnë se të gjitha vendet që punojnë për anëtarësim në BE duhet të qëndrojnë larg nga gjuha që nuk e çon përpara këtë synim të përbashkët dhe duhet të vazhdojnë të punojnë drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal”.
Ambasada amerikane në Tiranë reagoi dje  për “Zërin e Amerikës” lidhur me deklarimet e kryeministrit Edi Rama për bashkimin e shqiptarëve në Bashkimin Evropian dhe qasjen që duhet të ketë BE-ja ndaj këtij bashkimi.
I pyetur nga “Zëri i Amerikës” se cili është qëndrimi i SHBA-ve, pas deklaratave të forta të Serbisë për komentet e kryeministrit Rama në intervistën me “Klan Kosova”, të cilat janë interpretuar se nënkuptojnë një bashkim të dëshiruar politik midis Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe duke pasur parasysh deklaratën e djeshme të Bashkimit Europian për këtë çështje, një zëdhënës i ambasadës u përgjigj: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështesin fort aspiratat për në BE, të të gjitha vendeve në Ballkanin Perëndimor dhe mirëpresin riafirmimin nga BE se këto vende ndajnë një perspektivë të qartë europiane. SHBA besojnë se të gjitha vendet që punojnë për anëtarësim në BE duhet të qëndrojnë larg nga gjuha që nuk e çon përpara këtë synim të përbashkët dhe duhet të vazhdojnë të punojnë drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal. SHBA mirëpret garancitë që ka marrë nga qeveria e Shqipërisë se deklaratat në fjalë synonin vetëm të theksonin rëndësinë që ka integrimi në BE për shumë vende të Ballkanit“.
Ministri i punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, tha të enjten se i ka dorëzuar një notë proteste ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Beograd, lidhur me deklarimet e kryeministrit Edi Rama për bashkimin e shqiptarëve në Bashkimin Evropian dhe qasjen që duhet të ketë BE-ja ndaj këtij bashkimi. Ministria e jashtme serbe njofton se në notën e protestës thuhet se qëndrimet e kryetarit të qeverisë së Shqipërisë janë të papranueshme për Serbinë, se deklarata e tij është në vazhdën e disa deklarimeve provokative të përfaqësuesve të lartë politik të Shqipërisë, që dëmtojnë raportet dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë dhe rrezikojnë marrëdhëniet në tërësi dhe qëndrueshmërinë  në rajon”. Në njoftim, ministri serb citohet të ketë thënë se bëhet fjalë për një thirrje të rrezikshme për ripërcaktimin e kufijve të njohur ndërkombëtarisht ndërmjet shteteve në rajon. Deklarata e kryeministrit të Shqipërisë është në kundërshtim me orientimin e theksuar shumë herë të Serbisë dhe Shqipërisë për zhvillimin e fqinjësisë së mirë, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe ardhmërisë së përbashkët në Bashkimin Evropian”. Beogradi i ka interpretuar deklarimet e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, si thirrje përbashkim kombëtar klasik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë”.
Reagimet serbe pasuan një intervistë të përbashkët të kryeministrit, Edi Rama me ministrin e jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi, në televizionin “Klan Kosova”, pak kohë pasi që të dy u nderuan me titullin “Qytetar nderi i Ulqinit”.
Kryeministri Rama tha se “puna e përbashkët ndërmjet dy qeverive, asaj në Tiranë dhe në Prishtinë, është rruga e një bashkimi kombëtar me mjetet e shekullit XXI, në funksion të një Bashkimi Europian”.