Shala lirohet nga posti i zëvendëskryeministrit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në konsultim të afërt dhe me mirëkuptim të plotë ka aprovuar kërkesën për lirimin e zëvendëskryeministrit, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, nga detyra e zëvendëskryeministrit.

Sipas një njoftimi të Qeverisë, ky vendim është marrë me kërkesë të Shalës dhe me qëllim që ministri të angazhohet në tërësi në ushtrimin e detyrës së ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dikaster shumë i rëndësishëm për realizimin e programit të Qeverisë së Kosovës.

Në ditët në vijim, pritet që kryeministri Mustafa të zhvillojë konsultimet e nevojshme në kuadër të LDK-së për plotësimin e postit të zëvendëskryeministrit nga kjo parti.

Më poshtë mund të gjeni kërkesën e ministrit Shala:

I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa

Së pari, Ju përgëzoj për punën Tuaj dhe të Qeverisë në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.

Për shkak të angazhimeve të mëdha, sidomos gjatë këtij viti, dhe me qëllim që të mund t’u përkushtohem në tërësi angazhimeve të mija në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kërkoj që të më lironi nga detyra e zëvendëskryeministrit të Republikës së Kosovës.

E çmoj si përvojë tepër të rëndësishme punën dhe ushtrimin e këtij funksioni të lartë shtetëror që nga dhjetori i vitit 2014.

Ju falënderoj për besimin dhe bashkëpunimin gjatë gjithë kësaj kohe dhe shpreh përkushtimin tim për të vazhduar angazhimet e mija në përputhje me Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Lexo tjetër  Komisioni dyshohet se u dorëzoi deputetëve harta ta falsifikuara! Sot, gjithçka kthehet në pikën zero?!