Serbia thotë se s’ka pse të bisedojë me Kosovën nëse miratohet Rezoluta për gjenocid

Hapja e kapitujve për negociata për anëtarësim në Bashkimin Europian, varet nga partnerët evropianë, ka thënë kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Serbia, nga ana e vet ka bërë të gjitha ato që kanë qenë në mundësinë e saj, ka shtuar ai për gazetën e Beogradit “Politika.

Lidhur me paralajmërimet e Prishtinës se në Kuvend do të miratohet rezoluta për gjenocid të Serbisë në Kosovë, kryeministri serb ka thënë se ideja për rezolutë është “nga frika e Hashim Thaçit dhe disa subjekteve relevante nga formimi i Gjykatës Speciale e cila duhet të merret me këta njerëz në Kosovë të cilët kanë bërë krime”, transmeton Koha.net

“Nëse këtë përpiqen ta miratojnë në Parlamentin e Kosovës dhe me ndonjë çudi ia dalin ta bëjnë shumicën, nuk e di si mendojnë të bisedojnë me ne pas kësaj”, ka thënë Vuçiq.

Kryeministri serb ka folur edhe për raportet me Shqipërinë.

“E respektoj Shqipërinë, jam në marrëdhënie korrekte me zotin Rama, por kam thënë sikur unë ta kisha vizatuar në murin e shtëpisë së babait tim hartën e Serbisë së madhe, harta do të kishte qenë lajm kryesor në CNN. Serbia do të dënohej. Kur bëhet fjalë për Shqipërinë e madhe, nuk ka pasur asnjë fjalë dënimi për atë që ka ndodhur në Shqipëri. Kjo më flet për standarde të dyfishta”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka shtuar se shumë zyrtarë evropianë e dhe disa ambasadorë nuk kanë përgjigje.