Salihu mbetet në Izrael, por ndërron klub

 

Duket se destinacioni i ardhshëm i Hamdi Salihit do të mbetet Izraeli. Ndonëse i kontaktuar dje në mbrëmje nga “Panorama Sport”, sulmuesi i Kombëtares shqiptare nuk konfirmoi mbylljen e bisedimeve, referuar mediave izraelite, të gjitha rrugët e çojnë shkodranin te Hapoel Haifa. “Nuk kam vendosur ende përfundimisht. Jam në bisedime, të cilat mund të mbyllen në dy ditët në vijim”, ka thënë shkurt “bomberi” kuqezi. Vetë Salihi ka pohuar edhe para pak ditësh në një intervistë të gjatë dhënë gazetës se dëshiron të qëndrojë në Izrael, kjo për faktin se pëlqen klubin, vendin dhe është ambientuar me atë kampionat, ndaj gjasat janë që deri më 3 shkurt, pra nesër, kur mbyllet edhe zyrtarisht merkatoja në Izrael, të ketë firmosur kontratën e re.
Sipas “one.co.il”, dje menaxherja e Salihit, Viki Vaknik, ka pasur një bisedë të gjatë me presidentin e Hapoel Haifa-s, Joav Katz, me të cilin në fund ka pasur një dakordësi në thuajse pjesën më të madhe të kërkesave të palëve në këto bisedime. Pika më e nxehtë ka qenë rroga e Salihit, për të cilën është folur edhe më përpara në media. Klubi i Hapoel Haifa ka pretenduar deri në fund që shqiptari ta ulë sadopak pagesën e tij sezonale, kjo nisur edhe nga fakti se klubi i Haifas do të paguajë edhe për kartonin e tij. Për këtë të fundit, duket se Hapoel Akre, ku ka luajtur deri para dy ditësh Salihi, do të marrë një shumë rreth 50 mijë euro, plus edhe kartonin e dy lojtarëve të rinj të akademisë së Haifas.
 
Loading...