Sadiku “përshëndet” me gol De Biasin

Sulmuesi shqiptar u rikthye më në fund te goli pas nëntë muash shterpësi.
 Armando Sadiku e nis me këmbën e mbarë 2015 në Superligën e Zvicrës. Sulmuesi shqiptar u rikthye më në fund te goli pas nëntë muash shterpësi edhe për shkak të një dëmtimi të rëndë që e la për një kohë shumë të gjatë jashtë fushave të blerta.
 Në javën e 19 të kampionatit zviceran, Zyrihu luante në transfertë me St. Gallen, sfidë të cilën 23-vjecari e nisi nga stoli. Në minutën e 78-të, vetëm pas caste pasi skuadra vendase kishte shkurtuar në 1-3 diferencën, Sadiku zëvendësoi Etoundi. Elbasanasit i mjaftuan vetëm pak minuta për të lënë shenjë në këtë sfidë, pasi në të 84 vulosi fitoren 4-1 të Zyrihut, që renditet në vendin e dytë në kuotën e 36 pikëve.
 Me këtë finalizim, Sadiku i jep një sinjal mjaft domethënës trajnerit të Kombëtares, Gianni de Biasi, i cili pritet ta grumbullojë për takimin shumë të rëndësishëm me Armeninë në kuadër të eliminatoreve të “Euro 2016”. Prania e Sadikut në Kombëtare do ta rriste edhe më shumë konkurrencën në fazën sulmuese, ku Cikalleshi dhe Balaj, mbeten për momentin zgjedhje të para të italianit.