Sadiku debutoi me gol, trajneri i Legias: Tregoi që ishte goditja e duhur në merkato

Armando Sadiku i ka mrekulluar të gjithë në Poloni. Legia e Varshavës e ka nisur keq këtë edicion në kampionat, duke u mundur 1-3, mirëpo shqiptari ka lënë shenjë pozitive që në herën e parë që ka zbritur në fushë. Një gol alla “bomber” ka bërë që Sadiku të mbahet mend për një debutim pozitiv.

Armando Sadiku Legia

Një aksion i ndjekur me shumë kujdes dhe një pasim i marrë brenda zonës së ngushtë është shndërruar në gol nga shqiptari me një goditje potente. Sadiku, falë atij goli të realizuar, me gjithë pengesën e mbrojtësve dhe ndërhyrjes së portierit, ka bërë që të fitojë respektin e trajnerit të Legias.

GOLI I SADIKUT

Në fjalën e tij pas takimit, Jaçek Magiera është shprehur me fjalë pozitive për bomberin e Kombëtares shqiptare të futbollit.

“Goli i Sadikut ishte i vetmi ngushëllim i ndeshjes. Ai mori një pasim dhe e shndërroi në gol tamam si një sulmues zone. Për këtë, do të ketë të tjera detyra nga kjo ndeshje dhe lojtarët duhet ta kenë kuptuar që ai është një futbollist që ka nevojë që të furnizohet sa më shumë me pasime.

jacek magiera

Është shumë pozitive për të që e nisi këtë aventurë me gol dhe më vjen mirë që na dha neve të drejtë për zgjedhjen që bëmë. Duket se tregoi që ishte goditja e duhur”, është shprehur trajneri i Legias në përfundim të humbjes së parë në kampionat.

Sa i përket skuadrës, ai ka kërkuar që të mos kritikohet për humbjen e parë, edhe pse janë vënë re gabime dhe janë pësuar tre gola.

“Është ende herët për të kritikuar skuadrën dhe lojtarët. Ne jemi të gatshëm që të arrijmë objektivat, ndaj na duhet kohë. Kam besim se kemi marrë mësimet e duhura nga kjo humbje dhe shumë shpejt do të kthehemi te fitoret dhe që t’i bindim të gjithë”, është shprehur Jaçek Magiera në përfundim të përballjes së parë të Legias së Varshavës që përfundoi me humbje.

 
Loading...