Roshi drejt largimit, refuzon FSV Frankfurtin

Odise Roshi mund të ndryshojë fanellë në fund të këtij sezoni. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka refuzuar ofertën për të rinovuar kontratën nga klubi aktual, FSV Frankfurti. Edhe pse akordi që ka me ta përfundon pas disa muajsh, lojtari nuk ka qenë i kënaqur me kushtet e ofruara.
Këtë edicion, 23-vjeçari ka luajtur 16 ndeshje me skuadrën e Bundesligës 2 dhe ka gjetur rrugën e rrjetës tri herë. Pavarësisht se është një lojtar i rëndësishëm në skuadër, Roshi synon të luajë me një ekip më prestigjioz në të ardhmen. Sivjet, FSV Frankfurti e ka thuajse të pamundur që të shpresojë ngjitjen një kategori më sipër, kur renditet në vendin e dhjetë, me një diferencë prej 11 pikësh nga Darmshtadi i vendit të tretë.
Pavarësisht moshës së re, fieraku ka një eksperiencë të madhe në futbollin gjerman, kur u transferua që në vitin 2011 tek ekipi i Këlnit. Pas një sezoni atje, ai huazua për një vit në Fkankfurt, ku bindi me paraqitjen e zhvilluar dhe klubi vendosi që t’i blejë kartonin. Roshi është gjithashtu një nga të besuarit e trajnerit De Biazi dhe me përfaqësuesen numëron 22 prezenca dhe një gol.