Roma po zhduket nga gropa të mistershme që po hapen në qytet (Foto)

Këshilli bashkiak e ka përkeqësuar situatën në mënyra të shumta: është gjithnjë i korruptuar dhe shpesh i paaftë. Këtë vit nuk blenë dot as një bredh të gjelbër për Krishtlindje.

 Procesi i tenderimeve për riparimin dhe rindërtimin e rrugëve zvarritet me vite, sepse burokracia në Romë është e rrëmujshme. Kur më në fund jepet një kontratë, kompanitë i shtrojnë rrugët keq ngaqë përpiqen të kursejnë, ose sepse duan të vazhdojnë të kenë punë. Ndërkohë, bashkisë i vijnë 4000 kërkesa dëmshpërblimesh në vit nga Sigurimet, kryesisht për dëmtime makinash e thyerje kockash, të shkaktuara nga punimet.

Banorët e Romës i marrin këto telashe me humorin karakteristik. Thonë me të qeshur se Honda ka hapur në Romë një qendër për testime suspensionesh, ngaqë qyteti ka rrugët më të këqija në botë. Bredhin bojëkaf të Krishtlindjeve e quajtën “zgjebarak” dhe një karikaturë e botuar javën e shkuar thoshte se gropat e përhapura nëpër qytet mund ta ndalojnë Mesin e shokët e tij që të mos vizitojnë ekipin e Barcelonës (pra, Roma fiton, gjithsesi).

Por gropat nëntokësore shërbejnë si kujtesë serioze që moti ekstrem, kur përzihet me paaftësi procedurale, mund të ketë pasoja fatale. Para një muaji, kryetarja e bashkisë së Xhenovas, Marta Vinçenci, u dënua me pesë vite burg sepse nuk mori dot masa sigurie gjatë përmbytjeve të vitit 2011, kur humbën jetën katër gra dhe dy fëmijë. Në Janar të vitit 2017 vdiqën 29 veta, pasi reshjet e dëborës dhe tërmetet krijuan një ortek që shkatërroi një hotel në Rigopiano, Abruco. Paralajmërimet ishin shpërfillur prej kohësh dhe përpjekjet për shpëtim ishin aq të ngadalta, sa një prej viktimave dukej se kishte mbijetuar për 40 orë nën dëborë para se të vdiste.

Lexo tjetër  Pa shlyerjen e gjobave nuk mund të bëhet regjistrimi i veturës

Ndoshta nuk është e drejtë të fajësohet stafi i emergjencës apo politikanët për ato vdekje. Një shprehje ironike italiane përqesh vesin e banorëve për të fajësuar politikanët për gjithçka: “Bie shi: qeveri hajdute!” Nga këto krateret e krijuara në Romë, kuptohet qartë se ngjarjet që dikur dukeshin të jashtëzakonshme, tani janë bërë diçka normale. Livorno pati 256 mililetra reshje shiu brenda një nate në vitin 2017, që ishte më shumë se ç’kishte rënë gjithsej për tetë muaj rresht. Përmbytjet që pasuan lanë tetë të vdekur. Në Mesina vdiqën 37 persona në vitin 2009; 13 vdiqën në Liguria gjatë dy viteve që pasuan; 18  në Sardenjë, në vitin 2013.

Pas shumë tërmeteve që kanë rënë në Le Marche gjatë këtij muaji, të krijohet ndjesia se shtresat e nëndheshme në Itali nuk janë më të forta. Jo vetëm për shkak të tërmeteve (tërmetet kanë marrë 669 jetë në 10 vitet e fundit). Ka të bëjë edhe me topografinë: malet e pjerrëta e të dallgëzuara, ashtu si asfaltet e Romës, shpesh i jepen forcës së rëndesës dhe marrin me vete rrugë e shtëpi. Në një kohë kur moti sa vjen e bëhet më ekstrem, pak gjasa ka që toka ta marrë veten tani shpejt.