Rifat e Murat Jashari mbështesin rivarrimin e Isa Boletinit në Boletin

Kreu i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, familja e heroit Isa Boletini dhe qytetarët e Mitrovicës, kanë marrë mbështetjen edhe të familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, për rivarrimin e eshtrave të heroit Boletini, në vendlindjen e tij në Boletin.

Në një takim që pati me Rifat Jasharin në Prekaz, Bahtiri e ka njoftuar atë me zhvillimet e fundit lidhur me përgatitjet për rivarrimin e eshtrave të heroit Isa Boletini dhe problemet që në ndërkohë kanë lindur, pasi që Këshilli Organizativ mori vendim për rivarrimin e eshtrave në Vlorë, e jo në Boletin, siç ishte vendosur fillimisht.

Komuna e Mitrovicës, përmes një komunikate për media, thotë se Rifat Jashari i ka dhënë mbështetje të plotë Bahtirit në përpjekjet që po bën për të realizuar në mënyrë sa më madhështore e dinjitoze rivarrimin e eshtrave të heroit Isa Boletini.

“Unë nuk do të pajtohesha që ndonjë anëtar i familjes time të varroset jashtë vendlindjes, kur për këtë ekzistojnë mundësitë. Mirëpo, qëndrimin e familjes tonë lidhur me këtë çështje do ta bëjë të ditur Murati”, tha vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, Rifati.

Në ndërkohë, Murat Jashari, duke e bërë të ditur qëndrimin zyrtar të familjes Jashari lidhur me këtë, ka thënë se familja e tij mbështet vendimin e kryetarit Agim Bahtiri e të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës, si dhe kërkesën e familjes së Isa Boletinit e të qytetarëve të Kosovës e më gjerë, që rivarrimi i eshtrave të heroit Isa Boletini, të bëhet në vendlindjen e tij në Boletin, e jo gjetiu.

Edhe gjatë ditës së hënë, shumë intelektualë të njohur, pjesëtarë të shoqërisë civile, përfaqësues të fshatrave të Shalës së Bajgorës e më gjerë, i kanë dhënë mbështetje të fuqishme kryetarit Bahtiri, si në takime të drejtpërdrejta, ashtu edhe përmes telefonit, por edhe familjes së heroit Isa Boletini, që të mos lejojnë në asnjë mënyrë që ky personalitet i shquar i kombit të rivarroset larg vendlindjes së tij.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, edhe të hënën ka thënë se është i bindur se Qeveria e Kosovës do të anulojë vendimin e Këshillit Organizativ, të cilin vet e ka formuar, për rivarrimin e eshtrave të heroit Isa Boletini në Vlorë dhe se qeveria së bashku me institucionet tjera të vendit dhe ato komunale, do të përgatisin ashtu si duhet ceremoninë e rivarrimit të kësaj figure të madhe të shqiptarisë, në vendlindjen e tij në Boletin.