Riatdhesimi, proces që nuk u menaxhua si duhet institucionalisht

Shkruan Rina Shabani

 

Largimi i shtetasve nga vendet e tyre në mënyra ilegale duket të jetë një proces i kohë pas kohshëm në përgjithësi, duke përfshirë në këtë rast edhe Kosovën, si rrjedhojë kjo nga rrethanat me të cilat përballen qytetarët. Dy dekadat e fundit e kemi parë Kosovën të përjetojë dy valë të mëdha të emigrimeve, por me arsye dhe rrethana të ndryshme.

Faza e parë e migrimit ka qenë në vitet e 90’ta, ku shqiptarët u detyruan të marrin rrugën e migrimit, pasi gjendja ekonomike ishte rënduar shumë(ku shqiptarët po ilargonin nga puna) si dhe për shkak të luftës së fundit në Kosovë.

Vala e dytë, gjatë viteve 2014/15 ishte befasuese, ku mbi 100 mijë persona emigruan në mënyra të ndryshme,fakt ky që alarmoi shtetin për një gjendje të re të krijuar. Ky emigrim është shkaktuar nga një sërë arsyesh të ndryshme, mirëpo më së shumti për arsye socio-ekonomike.

Por shumica e shqiptarëve të Kosovës të cilët emigruan në vendet e tjera evropiane, u kthyen për arsye se shumica e vendeve evropiane nuk po ofronin azil për qytetaret e Kosovës, kjo për shkak të mënyrës ilegale në të cilën Kosovarët kishin shkuar në ato vende por edhe për shkak të politikave të tjera.

Pas rikthimit të një numri të madh të atyre që ishin larguar, si faze tjetër ishte riatdhesimi i tyre dhe adaptimi me jetën në pikën ku e kishin lënë. Megjithatë kjo nuk është ishte aspak e lehtë dhe kërkonte kohë dhe përkushtim institucional. Riatdhesimi mbi të gjitha nënkuptonte përmirësim I gjendjes ekonomike dhe shëndetësore të këtyre personave.

Sipas të dhënave statistikore nga zyra për riintegrim dhe riatdhesim në Komunën e Drenasit, numri i atyre të cilët kanë emigruar ilegalisht, numërohet të jetë rreth 200 persona, të gjithë prej tyre kanë qenë raste individuale, e asnjë ikje në bashkësi familjare.

Lexo tjetër  Premtimet boshe të Lladrovcit po e shembin PDK-në në Drenas!

Nga totali I personave të riatdhesuar, 46 prej tyre janë trajnuar dhe kanë përfituar grante nga 3000 euro, të cilat janë dhënë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me Komunën. Këto grante në të kaluarën janë dhënë në formë të të hollave, mirëpo duke parë trendin e rritjes së manipulimeve dhe keqpërdorimit të këtyre të hollave, rregullorja tani parasheh ndarjen e mjeteve të punës në vlerë të shumës së paracaktuar.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, komuna e Drenasit renditet në vendin e tretë si një ndër komunat më të varfëra të Kosovës dhe ky konstatim është matur mbi bazën se sa marrin asistencë sociale.

Mungesa apo pamundësia e qasjes së komunave për të menaxhuar fondin për të riatdhesuarit ishte edhe një nga problemet dhe pengesat, të cilat më së shumti vihen në pah, që prej kur ka filluar procesi.

Mbështetja që institucionet ofrojnë për të rikthyerit, po ashtu edhe mënyra se si shpërndahen grantet, është kritikuar në masë të madhe.

Një problem tjetër që ka dalë në pah është edhe mungesa e monitorimit të duhur nga institucionet relevante, për grantet të cilat janë shpërndarë, si dhe koha e shkurtër e monitorimit të tyre, që është 6 deri në 12 muaj. Kjo ka ndikuar që të njëjtat të mos përdoren për qëllimin e destinuar, por të shfrytëzohen për qëllime të tjera. Ndonëse ka pasur trajnime të vazhdueshme, ka shume prej të rikthyerve të cilët nuk kanë qenë në gjendje të kuptojnë formën e thjeshtë të aplikimit për grante, gjë që ka rezultuar në mangësi të aplikacioneve dhe të përfituesve.

Në udhëzuesin për riintegrim të të riatdhesuarve në Kosovë, shkruan se vëmendje e veçantë në ofrimin e ndihmës dhe mbështetjes do t’u ofrohet personave të riatdhesuar të cilët kanë nevojë për masa të veçanta të riintegrimi.Kjo masë e veçantë vjen si pasojë e kapacitetit të tyre të zvogëluar funksional.Në shumicën e rasteve për shkak të sëmundjes apo aftësive të kufizuara.Por rol tëveçantëluan edhe gjendja e tyre familjare, mosha, analfabetizmi, si dhe njohja e gjuhëve tjera zyrtare.

Lexo tjetër  Kush ishin serbët?

Por edhe kjo fatkeqësisht nuk është implementuar si duhet, sepse ka gabime në mënyrën e qasjes dhe ofrimin e ndihmës administrative.

Institucionet shtetërore duhet të jenë më të përgatitura në mënyrën e trajtimit dhe të aplikimit të procedurave për riatdhesim, si dhe duhet të mbikëqyren në periudhë më të gjatë kohore mjetet e ndara në formë grantesh për qytetarët e kthyer, në mënyrë qe mjetet e destinuara për këtë kategori të menaxhohen si duhet.