Rektori e quan kundërstatutare pagesën e profesorëve “emeritus”

Zejnel Kelmendi, Faik Brestovci dhe Mujë Rugova, janë tre profesorët e vetëm të cilët mbajnë titullin “profesor emeritus” në Universitetin e Prishtinës, dhe ndonëse kanë kaluar moshën 70-vjeçare, ende marrin pagë mujore bruto prej 1.470 eurosh.
Por, kjo pagë atyre është duke iu dhënë në kundërshtim me aktin më të lartë juridik të UP-së, Statutin, ku thuhet se “profesori emeritus” do të ketë të drejtën të japë mësim dhe të merret me punë shkencore në pajtim me kualifikimet e tij dhe të kërkesave të njësisë së veçantë akademike, deri në moshën 70-vjeçare, shkruan sot “Koha ditore”.
Zejnel Kelmendi, ish-rektor i UP-së dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë, ka mbushur 77 vjet, Faik Brestovci – nga Fakulteti Juridik, ka 74, kurse Mujë Rugova, profesor i kimisë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, tashmë i ka mbushur 70 vjet.
Rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu, ka pohuar për “Kohën Ditore” se këta tre profesorë janë të vetmit që mbajnë këtë titull, në gjithë Universitetin e Prishtinës. Gjithashtu ai ka pohuar se paga e tyre, e cila në mënyrë arbitrare është e barasvlerësuar me atë të profesorit ordinar -profesorit të rregullt, që kap vlerën mbi 1.470 euro në muaj, po jepet në kundërshtim me Statutin.