Refuzuesi i Hashim Thaçit kandidat i VV-së

Mirsad Shkreta stomatologu nga Hani i Elezit që pati votuar kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit në krye të PDK-së, është në listën e Vetëvendosjes.

Stomatologu nga Hani i Elezit që në vitin 2013 si delegat i këtij qyteti ishte i vetmi që në Konventën e Gjashtë të PDK-së votoi kundër rizgjedhjes së Hashim Thaçit në krye të kësaj partie, është kandidat i “Vetëvendosjes” për deputet.

Kur votoi kundër zgjedhjes së Thaçit kryetar partie, Shkreta kishte thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se kryetari i atëhershëm i PDK-së nuk i ishte hakmarrë për votën kundër.

Shkreta atëherë kishte shfaqur edhe ambicie që vetë të ngjitet në krye të PDK-së.

Më pas në vitin 2014 ish-asamblisti i PDK-së iu bashkua këshilltarëve komunalë të Vetëvendosjes në Han të Elezit.

Shkreta vitin e kaluar kritikoi ish-deputetin Elmi Reçica se po takohet dhe po u jep direktiva zyrtarëve të lartë të policisë për të vepruar dhunshëm ndaj aktivistëve në protestat e “Vetëvendosjes”, ndërsa ish-deputeti Reçica dërgoi një foto në KALLXO.com ku shihej me Shkretën në kohën kur Shkreta ishte pjesë e PDK-së, duke thënë se si deputet takohej me shumë njerëz.