Reali, në vazon e dytë të “Championsit”!

Fitorja e Barcelonës në kampionat, por edhe arritja e tyre në finalen e Ligës së Kampioneve i jep një dopiogoditje Realit të Madridit. Skuadra e Karlo Ançelotit, jo vetëm që sivjet mbyll një sezon negativ, por në të njëjtën kohë, viti i ardhshëm futbollistik do të jetë edhe më i vështirë për ta, në Ligën e Kampioneve.

Rregulli i ri i UEFA-s thekson se në vazon e parë nuk do të shkojnë më skuadrat me koeficientin më të lartë, por kampionia në fuqi dhe 7 fitueset e 7 kampionateve më të mira në Europë.

Këto 7 ekipe deri tani janë zyrtarizuar, sido që të dalë finalja e Berlinit, duke qenë se si Barcelona, ashtu sikurse Juventusi janë shpallur kampione në vendet e tyre. Të tjerat e sigurta në vazon e parë janë Çelsi, Bajerni, Benfika, PSG-ja, Zeniti dhe PSV-ja. Për këtë arsye, Reali i Madridit do ta nisë nga vazo e dytë shortin e Nionit, ku pritet të kapë një nga këto ekipe në grup (me përjashtim të Barcelonës).

Në të njëjtën vazo, “galaktikëve” do t’u bëjnë shoqëri Porto dhe, me shumë siguri, edhe Arsenali, Atletiko e Madridit dhe Mançester Junajtid. Por, edhe pse kjo mund të quhet një goditje për “planetin” Real, në lidhje me prestigjin e tyre europian, diçka e tillë është problemi i fundit që mund të shqetësojë klubin e Florentino Perezit, pas këtij sezoni me zero trofe të fituar.