Rama mbledh qeverinë, tregon tre rreziqet që kanosin kabinetin dhe objektivat e 100 ditëve

Si asnjëherë më parë, kryeministri Edi Rama ka mbledhur në kryeministri të gjithë kabinetin qeveritar, nga ku ka folur në mënyrë panoramike për objektivat e 100 ditëve të para si dhe për ekzistencën e tre rreziqeve që kanosin mandatin katërvjeçar të qeverisjes së socialistëve.

Përballë ministrave dhe 33 zv/ministrave, Rama ka treguar se 3 janë rreziqet të cilat i kanosen kabinetit, papunësia, korrupsioni dhe cinizmi i vetë socialistëve.

Kryeministri ka treguar historinë e “galaktikëve” në formën e një përralle, duke thënë se njëherë na ishte një skuadër galaktikësh, të cilët nuk mundën të fitonin kurrgjë, pikërisht për shkak se nuk kishin në përbërje një frymë të vetme grupi dhe një forcë të përbashkët në punën e tyre, një rrezik të cilit qeveria duhet t’i ruhet në çdo çast. Sipas Ramës, edhe pse opozita ulëret dhe është e dobët, sërish mbetet një rrezik, pasi dobësia e saj mund të sjellë që qeveria të nënvlerësojë më shumë se çduhet situatën.

Na ishte njëherë skuadra ‘Galaktike’ por nuk fituan asnjë trofe, pasi nuk ishin një grup. Kundërshtarët tanë nuk janë të dobët por të egër dhe të rrezikshëm, 3 rreziqe na kanosin: Papunësia, korrupsioni dhe cinizmi.

Kemi edhe një opozitë të dobët që ulëret dhe shan si frikacaku kur kalon pyllin natën, por ky është një rrezik në vete. Kemi vetëm dy aleatë, popullin dhe dëshirën tonë. ”-tha Rama.

Më tutje, kryeministri hodhi dritë mbi objektivat që çdo ministri duhet të ketë në 100 ditët e para. Më kryesoret që rradhiti kryeministri, ishin përpjekjet për të marrë vitin e ardhshëm statusin e vendit kandidat për në BE, lufta dhe shkatërrimi i plotë i kanabizit, vettingu në polici dhe të tjera

“Duhet të punojmë të gjithë që të celim negociatat vitin e ardhshëm, por që të jemi gati për negociatat, që janë një proces tejet i ndërlikuar. Ministria për Europën do e udhëheqë këtë proces. Duhet të filojmë betejën me krimin, vetting në radhët e policisë së shtetit. Do të vijojë lufta kundër informalitetit. Transparencë në sistemin e ndihmës ekonomike. –tha Rama./Gazeta Express