Qeveria siguron paratë për veteranët e UÇK-së!

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, OVL-UÇK, Hysni Gucati ka bërë të ditur për “Gazeta Blic” se Qeveria e Kosovës ka gjetur zgjidhje për problemin me pagat e veteranëve, duke i ndarë 26 milionë euro për këtë kategori.

Parat e ndara për veteranët e UÇK-së, sipas Gucatit janë të mjaftueshme vetëm deri në janar të vitit të ardhshëm.

Ne në vazhdimësi kemi pasur takime me këshilltarë të kryeministrit Haradinaj dhe bazuar në informacionet që ne i kemi deri të premtën e javës së ardhshme do të dalin pagat. Janë ndarë 26 milionë euro për këtë kategori, që janë të mjaftueshme deri në janar”, tha Gucati.

Ai tutje deklaroi se në fillim të javës së ardhshme pritet që të dërgohet për rishikim në Kuvendin e Kosovës buxheti i këtij viti, hap ky që më pastaj mundëson shpërndarjen e pagave për veteranët e UÇK-së.

Rishikimi i buxheti pritet të dalë në parlament të hënën ose të martën e javës së ardhshme”, u shpreh ai.

“Gazeta Blic” ka bërë përpjekje që të flasë edhe me Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica lidhur me këtë çështje, por kontakti më të ka qenë gati i pamundur, pasi që ai nuk është përgjigjur në thirrjet dhe SMS-et e redaksisë.

Ndryshe, dyshimet e përfaqësuesve të organizatave të dala nga lufta, për fryrje të listave me veteranë të UÇK-së kanë qenë pikënisje e hetimeve nga ana e Prokurorisë së Shtetit në vitin e kaluar.

Numëri i madh i veteranëve ka rrezikuar buxhetin e Kosovës edhe gjatë vitit të kaluar, ku kjo kategori për disa muaj rresht ka marrur pensionin e saj më vonesë.

Të hënën ka realizuar protestë një grup i veteranëve të UÇK-së para objektit të Qeverisë në shenjë pakënaqësie për mungesën e pagave për muajin shtator. Veteranët nuk e kanë marrë të plotë as pagën e muajit gusht, pasi që në buxhetin e shtetit kishin mbetur vetëm 1.7 milionë euro, para këto të cilat ishin të pamjaftueshme për dhënien e plotë të pagave të mbi 40 mijë veteranëve. Në atë botë ish-kryeministri i Kosovës Isa Mustafa kishte vendosur që t’i ndajë në mënyrë proporcionale paratë e mbetura për të gjithë veteranët.