Qeveria paralajmëron veprime tjera për ndaljen e migrimit

Qetësisht merrnin rrugën për të udhëtuar drejt Beogradit, pa ditur se cili është destinacioni i tyre, cila është rruga nëpër të cilën do të kalojnë dhe rreziqet që ka migrimi i parregullt. Familje të tëra, nxënës e student, të papunë e ish-të punësuar, janë ata që po shtojnë shifrën e të larguarve nga vendi. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, për KosovaPress thotë se vendimi i Qeverisë për krijimin e një komisioni i cili do të shqyrtoj mundësinë për faljen e të gjitha borxheve që bizneset dhe qytetarët e Kosovës kanë ndaj institucioneve të Kosovës dhe ndaj ndërmarrjeve publike, deri më 31 dhjetor 2008, është një prej masave aktive të Qeverisë, në mënyrë që të adresojë mirëqenien sociale. “Gjatë ditëve në vijim do të paraqesim politika tjera zhvillimore që do të gjenerojnë vende të reja pune. Do të ketë lidhje më të mirë të arsimit me tregun e punë. Qasja do të jetë strategjike,” deklaron Abrashi. Sipas të dhënave të deklaruara nga disa shtete të Evropës për Eurostatin, në vendet e tyre janë rreth 26 mijë e 500 emigrantë kosovarë. Të dhëna për të larguarit nuk ka saktësisht tregon Sefedin Kuqi, nga Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe thotë se ky numër mund të jetë edhe më i lartë. “Kryesisht janë të dhëna të shteteve që raportojnë të dhëna të tilla. Atëherë themi që në bazë të dhënave që kanë raportua në Eurostat, numri i deritanishëm është 26 mijë e 500 mirëpo këto nuk janë të dhëna definitive ndoshta pritet që ky numër të jetë më i lartë”, deklaron Kuqi për KosovaPress.

Sipas tij, migrimi i parregullt nuk është çështje vetëm e institucioneve të vendit por e të gjithë shoqërisë dhe thotë se të gjithë duhet të ndikojnë për parandalimin e një migrimi të tillë, pavarësisht situatës ekonomike dhe sociale.

Policia e Kosovës deri më tani ka ngritur kallëzime penale të ndryshme për grupe të ndryshme që janë marrë me kontrabandë apo trafikim të qenieve njerëzore dhe këto kallëzime penale sipas Kuqit kanë arrit në rreth 300 sosh.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, për muajin janar janë regjistruar 195 mijë e 880 dalje në pikë kalimet kufitare me Serbinë, por ky numër nuk ndryshon shumë me numrin e hyrjeve në Kosovë nga këto pikëkalime, e që është 160 mijë e 48 hyrje të regjistruara.

“Sipas të dhënave të Policisë në Dheun e Bardhë gjatë muajit janar ka pasur dalje të udhëtarëve, rreth 53 mijë. Në pikën kufitare në Muqibabë rreth 20 mijë, në Bërnjak 10 mijë, në Jarinje 51 mijë, në Merdare 56 mijë, në Mutivodë 4300, këto janë shifra të përafërta dhe në total ky numër siç e thash është 195 mijë e 800”,deklaron Kuqi.

Edhe në Rezolutën për Pengimin e Migrimit Ilegal të qytetarëve të Kosovës nëpërmjet 17 pikave është paraparë të arrihet një gjë e tillë dhe me 69 vota për, 2 kundër si dhe 2 abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar rezolutën.

Përmes saj parashihet angazhim i Qeverisë dhe Ministrive respektive, konkretisht në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe bizneseve.

Aty kërkohet që çdo tre muaj komisioneve parlamentare tu raportojnë ministrat përkatës. Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës e obligon të jenë aktivë dhe të veprojnë në ndalimin e rrjeteve të trafikimit. Gjyqësorit i kërkohet t’i zgjidhë rastet e trafikimeve në procedurë të përshpejtuar.

Për parandalimin e migrimit të parregullt institucionet e Kosovës në vazhdimësi patën organizuar edhe fushata parandaluese gjatë vitit 2014 për të treguar rreziqet që ka migrimi i tillë.