Qeveria e Serbisë do t’i kërkojë BE-së njohjen e pasaportave ilegale të serbëve të Kosovës

Qeveria e Serbisë ka reaguar pas deklaratës së djeshme të komisionarit të BE-se për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, lidhur me atë se serbët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë pa viza me pasaportë shtetërore serbe.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë në një përgjigje për Indeksonline ka kundërshtuar ashpër këtë vendim, të cilin e ka quajtur të papranueshëm. Mirëpo, ka paralajmëruar se Qeveria e Aleksandër Vuçiqit do t’i bëjë presion Bashkimit Evropian që t’u njihen pasaportat serbe pjesëtarëve të komunitetit të tyre në Kosovë.

“Beogradi do të kërkojë nga BE-ja që liberalizimi i vizave aplikohet edhe në popullin serb që jeton në Kosovë, pavarësisht nga atë se cilat dokumente ata i kanë. Liberalizimi i vizave nuk duhet të aplikohet në llojin e dokumentit, por në të gjithë banorët e territorit për të cilin liberalizimi është i dhëne”, thuhet në përgjigjen e kësaj Zyreje.

Ndërkohë, dje në një konferencë për media në Qeverinë e Kosovës, Avramopoulos deklaroi se vetëm pasaportat e Republikës së Kosovës do të vlejnë dhe njihen për lëvizjen e lirë për Evropë.

“Vetëm pasaportat kosovare do te njihen dhe asnjë tjetër. Edhe pasaportat që Serbia ua ka lëshuar serbëve të Kosovës është dashur që të kenë viza për të udhëtuar drejt Evropës. Bashkimi Evropian nuk i ka njohur këto si pasaporta shtetërore të Serbisë”, ka thënë ai, transmeton Indeksonline.

Ai më tej ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për procesin e liberalizim të vizave.