Qeveria duhet të ikë, që populli të mbetet

Lëvizja Vetëvendosje sot organizoi një aksion simbolik pranë Qeverisë së Republikës së Kosovës, ku vendosi një autobus brenda të cilit shiheshin politikanët, të cilët duhet të largohen nga vendi, për t’iu kthyer shpresa qytetarëve të Republikës. “Është interesant të përmendet fakti që derisa qytetarët prisnin ndryshimin përmes krijimit të një qeverie pa PDK-në numri i të larguarve nga Kosova ishte shumë i vogël. Të dhënat zyrtare për azil në Austri thonë se në muajin qershor të vitit 2014 në atë shtet kërkuan azil 40 qytetarë nga Kosova, në muajin korrik 41, ndërsa në dhjetor, menjëherë pas themelimit të qeverisë, ky numër u shtua në 784. Vetëm në Gjermani deri më 31 dhjetor, sipas të dhënave zyrtare gjermane,  kanë kërkuar azil 6.908 qytetarë nga Kosova”, tha para mediave deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Faton Topalli, duke shtuar se mosveprimi i Qeverisë përballë kësaj situate lë të nënkuptohet se pushtetarët përmes ikjes së qytetarëve po tentojnë ta sigurojnë paqen sociale në Kosovë.

Faton Topalli Vetëvendosje

“Qeveria po harron se në Kosovë janë të gjithë të varfër. Pra, jo vetëm 121.000 qytetarët që jetojnë me nga 63 cent ne ditë, jo vetëm 90% e rinisë që janë të papunë, jo vetëm 90% e grave të papuna, jo vetëm pensionistët me nga 75 euro, por edhe ata 300.000 të punësuar që nuk arrijnë t’i mbulojnë shpenzimet e veta pa u zhytur në kredi. Këta 300.000 të punësuar, i kanë 450.000 kredi. Pra, mesatarisht secili nga ata e ka nga një kredi e gjysmë”, theksoi Topalli.

Qeverija drejt hungaris

Ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! i patëm propozuar në Kuvend disa ndryshime në projektbuxhet që ndërlidheshin me ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, përfshirë këtu edhe dyfishimin e buxhetit për ndihma sociale, por këto propozime u kundërshtuan ashpër nga partitë në pushtet dhe nuk u miratuan. “Masat emergjente që do duhej t’i merrte Qeveria për këtë çështje, nuk do duhej të ishin kërcënime të ndryshme e aksione policore, as thirrjet për të mos u larguar nga vendi, as shlyerja e borxheve të vjetra që nuk kanë ndikim në zbutjen e varfërisë dhe që as nuk mund t’i inkasojë me ligjet në fuqi, por do duhej të ndaheshin të paktën 30 milionë euro për punësimin e mbi 10 mijë qytetarëve. Meqë këta qeveritarë nuk kanë plan ekonomik, më e mira që do të mund të bënin është t’i hipin autobusit e të dalin jashtë vendit të kërkojën azil. Këta janë të vetmit që i plotësojnë kushtet për azil, sepse kur dalin jashtë vendit mund të thonë se për 15 vite me radhë i kemi bërë keq popullit tonë, e kemi vjedhur, ia kemi shitur pasuritë dhe në fund edhe po e rrahim. Sa më gjatë që të rrijë kjo qeveri, aq më vështirë do të jetë për qytetarët e Kosovës. Andaj, këta duhet të ikin, që populli të mbetet”, tha në fund Topalli.