Pse opozita po e forcon qeverinë sipas Shpend Ahmetit (VIDEO)

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, mbetet optimist në bashkimin e bllokut opozitar kundër Qeverisë “Mustafa”. Ahmeti thotë se “Alternativa” e Lëvizjes “Vetëvendosje” është mundësi e mirë për t’u bashkuar në misionin e përbashkët për rrëzimin e Qeverisë, ndërkohë që bashkimin e AAK-së dhe “Nismës” në një koalicion parazgjedhor në këtë fazë, ai e quan me ironi si një të gjashtëmbëdhjetën e finales.

Zëri: Pse nuk u treguat të gatshëm që të bëni kompromise me të dy partitë e tjera opozitare për të jetësuar “Alternativën” dhe për t’i zhbërë marrëveshjet. A po i bie kjo që ju nuk keni kauza reale, por bazoheni vetëm në ardhjen në pushtet?

Ahmeti: Fillimisht ideja është që ta bazojmë në ndonjë parim. Nuk është problemi i kompromisit, por në çka po e bazojmë. Ne kemi përgjegjësi para votuesve të “Vetëvendosjes” ashtu siç kanë AAK dhe “Nisma” për votuesit e tyre. Pra secili i ka përgjegjësitë. Pra nëse ne shkojmë para strukturave tona dhe u themi kemi bërë kompromisin t’ia japim udhëheqësin e listës apo këtë dikujt tjetër. Sigurisht se strukturat tona do të na pyesin se me çfarë kriteri. Ne kemi kërkuar nga subjektet e tjera që ta bazojmë në ndonjë kriter, pasi ta bazonim në ndonjë kriter atëherë do të mundë të flisnim për kompromiset e tjera. Për atë arsye “Alternativa” i ka pasur tre përfaqësues të secilit subjekt politik, 3 përfaqësues të shoqërisë civile dhe një zëdhënës. Ky ka qenë dokumenti që ka qenë i diskutueshëm dhe mendoj se në atë forum i janë dhënë të drejta të barabarta secilës parti politike dhe shoqërisë civile në mënyrë qe të mos flasë asnjëri krye në vete për qëndrimet e opozitës së bashkuar.

 

Tashti ka ardhur një situatë kur më shumë po merremi me njëri-tjetrin sesa me Qeverinë. Unë mendoj se kjo nuk është e mirë, prapë po e them sepse e dëmtojmë veten para asaj që ne po pretendojmë se do ta bëjmë e që është rrëzimi i Qeverisë dhe ofrimi i një alternative tjetër, një ndryshimi, në të njëjtën kohë ne kemi thënë se për LVV-në është i rëndësishëm ndryshimi i modelit të qeverisjes, sepse sikur të kishim dashur ta marrim stafetën prej Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit moti kish ndryshuar Lëvizja, i kish ndryshuar disa gjëra dhe do të ishim në pushtet, por ideja që të mos ndryshojmë shumë në parimet bazë që i kemi, sepse duam një qeverisje ndryshe….