Projekti më i madh i ripyllëzimit në botë

73 milionë pemë janë planifikuar të mbillen në Amazonë deri në vitin 2023, si pjesë e projektit më të madh të ripyllëzimit në botë.

Duke u përqendruar në 30,000 hektarë tokë, projekti synon të rikthejë mrekullinë natyrore të Amazonës në lavdinë e saj të mëparshme.

Projekti, i udhëhequr nga organizata mjedisore amerikane jofitimprurëse “Conservation International”, do të jetë restaurimi më i madh i pyjeve tropikale në botë dhe do të ndihmojë Brazilin të arrijë qëllimin e tij për ripyllëzimin e 12 milionë hektarë tokë deri në vitin 2030.

Rreth 20 për qind e pyjeve të Amazonës janë prerë që prej viteve 1970, gjë që pati ndikim të madh në klimën e rajonit dhe planetit.

Pylli tropikal i Amazonës mbulon pjesën më të madhe të Brazilit veriperëndimor dhe shtrihet në Kolumbi, Peru dhe vende të tjera të Amerikës Jugore.

Ai është pylli më i madh tropikal në botë, i famshëm për biodiversitetin e tij.

Sipas një studimi të vitit 2015 nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara, më shumë se 1.29 milion kilometra katrorë nga pyjet e botës janë prerë që nga viti 1990.