Prezantohet stadiumi i ri i Kombëtares (Foto)

Është prezantuar projekti i stadiumit të ri të Kombëtares, “Qemal Stafa”.

Fillimisht ishte Presidenti i FSHF, Armand Duka ai që mbajti fjalimin për Arenën e re të përfaqësueses Kuqezi, por jo vetëm. Kreu i Federatës zbuloi edhe një fakt interesant për Sloganin e Kombëtares në “Euro 2016”.

“Koha që na u desh për të mbërritur deri këtu ishte e gjitha e nevojshme, por ajo mund të ishte edhe më gjatë. Gjithsesi ajo ishte shumë e shkurtër për të ndërtuar një vepër të tillë si stadiumi “Loro Borici”.

“Po marr si shembull stadiumin e Juventusit që ka marrë në 9 vjet kohë për të arritur në ato përmasa që ka sot. Futbolli është një sport shumë i dashur por që do invenstime të mëdha për t’u përcjellë në mënyrën më të mirë. Ne po mundohemi të bëjmë maksimumin për të ngritur nivelin e futbollit shqiptar. “Ti Shqipëri më jep nder” është slogani që do të përfaqësojë Kombëtaren Kuqezi në kampionatin evropian. Kualifikimi në Evropianin Francez, por edhe ky stadium i ri tregon nivelin tonë dhe se sa shumë hapa përpara ka bërë futbolli shqiptar gjatë këtyre viteve të fundit.”

Më pas fjalën e mori Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili theksoi se futbolli shqiptar do të ketë mbështetje nga Qeveria.

“Jam shumë i kënaqur sot që jemi këtu për të finalizuar një fazë shumë të rëndësishme dhe për të hapur një fazë të re në realizimin e kësaj ëndrrë. Kombëtarja përfaqëson një komb të tërë dhe shumë emocione te të gjithë shqiptarët, ajo nuk është vetëm një skuadër futbolli. Nuk mund të ketë zhvillim të sportit dhe as te futbollit nëse Qeveria nuk bëhet pjesë aktive në procesin e mbështetjes së sportit ndaj ne do të jemi mbështetës shumë aktiv të FSHF dhe federatave tjera në tërësi. Të jeni të bindur që ky është një investim përtej sportit.”

Kryministri Rama vijoi më tej se është i lumtur që më në fund Shqipëria do të ketë një stadium të standarteve më të larta Evropiane.

“Shqipëria do të ketë një stadium të standarteve Evropiane, një stadium që kemi vendosur si objektiv me Presidentin Duka, ku do të luajë jo vetëm Kombëtarja, por dhe një finale e Superkupes së Evropës apo Europa League, duke pasur një stadium nga më të bukurit në Europë dhe nuk e ekzagjeroj pasi nuk është e vështirë nesë ke vizionin e duhur dhe skuadrën e duhur. FSHF nuk do të shpenzojë asnjë qindarkë për Arenën Kombëtare, sepse ky do të jetë një partneritet publik. Do të sjellim shumë shpejt në kryqytet një investim prej 50 milionë Eurosh, të cilin do ta bëjë kompania private.”

stadiuoni

 
Loading...