Presidenti parasheh t’i shpenzojë 10 mijë euro për 7 llaptopë

Zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka paraparë që brenda një kohe t’i shpenzojë 10 mijë euro për teknologji. Në fakt, Presidenca me këto para ka planifikuar që t’i blejë 7 llaptopë. Tenderi për blerjen e tyre është bërë publik nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik.

Në zyrën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, shumë shpejt do të vendosen edhe 7 llaptopë të rinj. Blerja e tyre tashmë veç është planifikuar.

E, për këtë blerje, Presidenca do t’i shpenzojë fiks 9 mijë e 900 euro. Të paktën kështu thuhet në njoftimin për tender, që është bërë në KRPP, shkruan Gazeta Express.

“Vlera e parashikuar e kontratës: 9,900.00 Euro”, thuhet në këtë njoftim.

Zyra e Presidentit në njoftim që ka bërë, blerjen e këtyre pajisjeve e ka cilësuar si kompjuterë, por që në brendësi e ka thënë se emërtimi i tyre është llaptopë.

“Furnizim me kompjutera, për nevojat e Zyrës se Presidentit të Republikës se Kosovës sipas përshkrimit në dosje të ftesës për kuotim. Emërtimi i Kompjuterëve (Laptop)”, bëhet e ditur në njoftim.

Blerja e këtyre llaptopëve është paraparë që të realizohet brenda 30 ditëve. /Gazeta Express/