Portieri i Superligës: Dola në Hungari, më martuan në burg

 

 

U lodh nga futbolli kosovar dhe jeta në Kosovë: U nis për Hungari, ku e mbyllën për 30 orë në burg dhe e martuan aty.

Kjo është historia e pabesueshme e portierit të Trepçës, Afrim Ademi. I lodhur nga kushtet ekonomike të futbollit kosovar, ai vendosi për tu nisur drejt Hungarisë, që e shihte si ‘urë’ për shkuarjen në Gjermani.

Në një prononcim për gazetën, ai fillimisht një pjesë të fajit ia hedhë Federatës së Futbollit të Kosovës, që e la të mërzitej në Mitrovicë duke ia ndaluar transferimin te Llapi.

“Pakënaqësia ime filloi nga momenti kur Federata ma ndalonte kalimin nga Trepça te Llapi. Është e vërtetë që klubi nuk më lejonte të largohesha, por një gjë e tillë erdhi pikërisht pas asaj rregulle të Federatës. Mitrovicën e kisha larg dhe u mërzita shumë duke udhëtuar. Për një moment vendosa që të nisem drejt Hungarisë”, deklaroi Ademi për Gazetën Tribuna.

Për të mbërritur në Suboticë ai i ka ndërruar dy autobusë, ndërsa kufirin e ka kaluar në këmbë.

“Kam qenë me të dashurën time. I kemi ndërruar dy autobusë për të mbërritur në Suboticë. Jam afruar me taxi deri në pikën kufitare ndërsa atë e kam kaluar në këmbë”, vazhdoi Ademi.

E pabesueshmja që s’e kanë menduar kurrë çifti Ademi, ndodhi në Hungari. Aty u kapën nga Policia hungareze dhe u mbyllën në burg, ku edhe u martuan.

“Në Hungari na zunë dhe na mbyllën në burg. Aty qëndruam për 30 orë. Deshën të ndajnë, por unë iu tregova që e kam të dashur. Më thanë që nëse duam të qëndrojmë bashkë, duhet ta nënshkruajmë një letër. Ajo ishte një llojë martese dhe ne prej asaj dite e konsiderojmë veten të martuar”, shprehet Ademi.

E pasi e lëshuan nga burgu, ai ia mësyu Gjermanisë, ku doli me të njohshëm.

“Në Gjermani dola me të njohshëm. Tani jemi në një banesë, ku ka shumë azilantë. Të gjitha shpenzimet i kemi të hequra, ndërsa na kanë dhënë edhe nga 140 euro për person”.

Zëri i mërzitur i Ademit jep një mesazh për futbollistët kosovar. “Punoni, punoni dhe provoni të dilni në mënyrë legale jashtë”, përfundoi Ademi.

Ai ka qenë pjesë e Hysit kur kjo skuadër e kishte fituar titullin kampion në vitin 2010. /Gazeta Tribuna