Popullsia e Kosovës në vitet 1831-1912

Monografia Popullsia e Kosovës në vitet 1831-1912 ishte përgatitur për studiuesit dhe opinionin më të gjerë publik me rastin e 100-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.
Monografia Popullsia e Kosovës në vitet 1831-1912 ishte përgatitur për studiuesit dhe opinionin më të gjerë publik me rastin e 100-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe themelimit të Shtetit të Pavarur Shqiptar. Por ajo u bë e mundur të dilte nga shtypi vetëm disa ditë më parë si botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Libri është pjesë kryesore e një studimi shumëvjeçar që Akademiku Kristaq Prifti ka ndërmarrë për popullsinë e të gjitha trojeve shqiptare gjatë shek. XIX – fillimit të shekullit XX.
Mbështetet kryesisht në dokumentacionin osman në gjuhën e vjetër turke, të hulumtuar nga autori në Arkivin Osman të Kryeministrisë në Stamboll (BOAI) gjatë viteve 1969-2005, në fondet e arkivave të vendeve të Europës e të Ballkanit dhe në një bibliografi të gjerë të autorëve turq dhe europianë, kushtuar problemeve të demografisë së Perandorisë Osmane në tërësi dhe të vendeve të Ballkanit.
Ashtu si për vendet e tjera edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët ndryshimet demografike kanë luajtur një rol të madh në shndërrimet e shoqërisë, e në mënyrë të veçantë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Megjithatë, siç ka vënë në dukje shkencëtari i shquar turk Kemal Hikmet Karpat në veprën e tij madhore Popullsia Osmane 1830-1914 (Londër, 1984), “të paktë janë studiuesit, që marrin përsipër të punojnë me një mori dokumentesh e artikujsh të mbuluar me pluhur për të shkruar pak rreshta, që do të mbeteshin pa u vënë re”. Arkivat e Stambollit dhe të Ankarasë përmbajnë materiale të shumta për këtë fushë, por studimet që janë bërë për popullsinë, kanë qenë të pakta. Përveç kësaj, shumica e tyre i janë kushtuar Perandorisë Osmane.
Në rastin e Shqipërisë studimet për historinë e popullsisë në periudhën osmane kanë qenë edhe më të rralla, për shkak se janë të paktë studiuesit që njohin gjuhën e vjetër turko-osmane. Me këtë monografi autori mëton t’u japë studiuesve dhe opinionit të gjerë publik një veshtrim sa më tërësor për popullsinë e Kosovës në shek. XIX – fillimin e shek. XX. Deri më sot në historiografinë ose në studimet demografike shqiptare dhe të huaja, përveç disa të dhënave të pjesshme në punime të përgjithshme ose të ndonjë artikulli të mbështetur në Vjetarët statistikorë osmanë (Salname), nuk ka pasur ndonjë botim tërësor për këtë problem.
Përmbajtjen kryesore të veprës e përbëjnë rezultatet e regjistrimeve osmane të popullsisë dhe analiza e tyre, duke filluar nga regjistrimi i parë modern i vitit 1831 e deri tek regjistrimi i fundit i viteve 1905-1907. Përveç regjistrimit të vitit 1831, i cili ruhet në formën e një libri në Bibliotekën e Stambollit, rezultatet e regjistrimeve të tjera nuk janë publikuar nga administrata osmane. Autori sjell kështu një dokumentacion të gjerë, të pasur, të pabotuar e të panjohur në historinë e demografisë osmane dhe të vendeve të Ballkanit, të hulumtuar prej tij pas një pune këmbëngulëse shumëvjeçare në Arkivin Osman të Kryeministrisë në Stamboll.
Me informacionin që sjell dhe me përfundimet që dalin prej tij, vepra hedh dritë mbi shtrirjen territoriale të Kosovës, mbi përbërjen etnike, përgjithësisht shqiptare, të popullsisë së saj, mbi vazhdimësinë e pranisë së shqiptarëve në trojet e tyre etnike si popullsi autoktone. Ajo evidenton numrin e përgjithshëm të popullsisë sipas regjistrimeve të ndryshme osmane, peshën numerike të popullsisë shqiptare dhe raportin e saj me pakicat kombëtare në këtë trevë.
Popullsia e Kosovës dhe përbërja e saj jepet me hollësi, në bazë vilajeti (province), sanxhaku (prefekture) dhe kazaje (nënprefekture), sipas çdo regjistrimi të popullsisë dhe akteve të depozituara e të ruajtura në administratën osmane ose në fondet e arkivave diplomatike e konsullore.
Interes të veçantë shkencor përbëjnë përfundimet e autorit për popullsinë e Kosovës sipas regjistrimit më të fundit të Perandorisë Osmane në shek.XIX-fillimin e shek.XX, atij të vititeve 1905-1907, të pabotuar deri më sot e të panjohur për studiuesit. Të dhënat e këtij regjistrimi, të cilat autori i ka botuar në këtë monografi në formën e tabelave statistikore, jane burimi i vetëm dhe kryesor i administratës osmane, deri më sot, për popullsinë e Vilajetit të Kosovës në prag te shpalljes se Pavarsise se shtetit shqiptar.
Mbështetur në to Akademiku Kristaq Prifti ka arritur në përfundimin se Kosova përbënte njësinë më të madhe territoriale-administrative të Turqisë Europiane. Ajo kishte një popullsi të përgjithshme prej 1 257 440 frymësh ku shumicën e përbënin shqiptarët, 687 777 frymë, që ishin kryesisht myslimanë e një pjesë katolikë e ortodoksë.
Të dhënat dokumentare të kësaj monografie janë një tjetër plotësim i argumenteve shkëncore të konceptit territorial të shtetit shqiptar të pavarur, që ishte objektivi kryesor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ato mbështesin drejtësinë e konceptit të Rilindjes për territoret shqiptare që do të përfshiheshin në shtetin e pavarur.
Vepra do të shërbejë si një pikë referimi për studime të mëtejshme për problemet e historisë politike të Kosovës dhe të territoreve shqiptare në tërësi dhe si një mbështetje për studime të tjera në lëmin e demografisë historike të Kosovës.
Duke vleresuar mbështetjen e ndihmën e pakursyer të drejtuesve e punonjësve të Arkivit Osman të Kryeministrisë në Stamboll dhe duke i falenderuar me mirënjohje të thellë, Akademiku Kristaq Prifti thekson në parathënien e librit të tij se ata e kanë orientuar ku të hulumtojë e të kërkojë fondet e dokumentet e nevojshme, që gjenden në labirintin e dhjetëra mijëra dosjeve të atij arkivi.
Vepra do të shërbejë si një pikë referimi për studime të mëtejshme për problemet e historisë politike të Kosovës dhe të territoreve shqiptare në tërësi dhe si një mbështetje për studime të tjera në lëmin e demografisë historike të Kosovës.